Prishtinë, 18 dhjetor 2011, NOA – Vdekja e arkitektit të “Revolucionit të mëndafshtë”, Vaclav Havel, një nga personalitetet që spikatën gjatë shpërbërjes së ish-Republikave sovjetike në Europën Qendrore dhe frymëzues i tranzicionit të butë nga regjimet komuniste përdrejt demokracisë, ka trishtuar edhe popullin e Kosovës, i cili ruan respekt të thellë ndaj udhëheqësit çek për rreshtimin e tij në mbrojtje të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në mesazhin e ngushëllimit Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se “Vdekja e ish-presidentit të Çekisë, Vaclav Havel është humbje e një personaliteti me përmasa evropiane dhe botërore, që luajti rol të rëndësishëm në transformimin e Çekosllovakisë nga një shtet federal në dy shtete të pavarura, me rrugë paqësore. Vaclav Havel u shqua si dramaturg dhe intelektual i lartë, që mbajti qëndrim të drejtë dhe përkrahu përhapjen e demokracisë në vendet që u sunduan gjatë nga diktatura dhe sistemi monist në Evropën Lindore e më gjerë”.
Kryeministri i Kosovës, tha se Vaclav Havel duke qenë intelektual i profilit të lartë, la gjurmë humaniste në diplomaci dhe fushëveprimin politik, duke u bërë figurë e çmuar në përhapjen e vlerave të lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Qytetarët e Kosovës me respekt do ta kujtojnë rreshtimin e drejtë të burrit të shtetit dhe intelektualit çek gjatë kohës së ndërhyrjes së NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në vitin 1999, kur bota euratlantike u vu në mbrojtje të Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, popullit mik çek dhe qeverisë çeke i shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta”, e mbyll kryeministri Thaçi, mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të Presidentit të fundit të Çekoslovakisë dhe Presidentit të parë të Republikës së Çekisë, Vaclav Havel.
Ish-Presidenti çek dhe dramaturgu e shkrimtari novelist Vaclav Havel u shua në orët e para të mëngjesit të sotëm në shtëpinë e tij në Hradecek, një provincë në rajonin e Trutnov, në prani të bashkëshortes së tij, aktores Dagmar.
Havel ishte operuar në vitin 1996 nga një tumor në mushkëri.
Nobelisti Havel, vuante prej kohësh nga probleme të shumta në rrugët e frymëmarrjes, të shkaktuara nga vitet e kaluara nëpër burgjet komuniste.
mit/NOA