English

Angela në Kosovë

"Qëllimi primar i saj është padyshim vizita e trupave gjermane në Kosovë që luajnë një rol të rëndësishëm në kuadër të KFOR-it, ku para disa kohësh ushtarët gjermanë janë sulmuar dhe lënduar gjatë përleshjeve me ekstremistët serbë në Veri të Kosovë"...

Nga Shkëlzen Maliqi

Në Panteonin e shenjëtorëve ndërkombëtarë që kanë kontribuuar në krijimin e shtetit të Kosovës shndrisin me rreze të arta emrat e tre politikaneve, dy amerikane dhe një gjermane. Pas Medlin Ollbrajt të paharruar nga vitet 1998-1999, dhe sot Hilari Klinton, që e kanë ndihmuar Kosovën duke ushtruar postin e sekretareve të Shtetit të SHBA, në muajt e fundit po këtë popullaritet e ka arritur Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë.

Sot, më 19 dhjetor 2011, Merkel do të mirëpritet me entuziazëm në Kosovë. Populli i thjeshtë do ta presë Angelën ashtu siç e meriton ajo me emrin e saj, si një engjëllushe ogurbardhë, që vjen për ta përhapur shpresën në këtë fundvit jo edhe aq të suksesshëm për Kosovën. Mbase do të jetë edhe ogur i mirë edhe për liderët e Kosovës.

Por, duke iu kthyer një diskursi më realist, ardhja e Kancelares në ditën e sotme sigurisht që nuk është e motivuar vetëm si një peshqesh për Kosovën. Qëllimi primar i saj është padyshim vizita e trupave gjermane në Kosovë që luajnë një rol të rëndësishëm në kuadër të KFOR-it, ku para disa kohësh ushtarët gjermanë janë sulmuar dhe lënduar gjatë përleshjeve me ekstremistët serbë në Veri të Kosovë.

A duhet të konsiderohet si i jashtëzakonshëm vendimi i Kancelares që të vizitojë Kosovën në kohën kur BE-ja po kalon një krizë, mbase më të madhe në historinë e saj, në të cilën Gjermania po luan rolin më të spikatur, ndërkaq Angela Merkel është ideatorja dhe udhëheqësja kryesore, që jo pak veta e shohin si shpëtimtare aktuale të BE-së. Kjo aq më parë që Merkel e ka pranuar që vizita të ketë edhe karakterin zyrtar, të pritet sipas protokollit shtetëror të Kosovës dhe të takohet me Kryeministrin Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Angela Merkel është bërë autoriteti më i fuqishëm që angazhohet për mbijetesën e BE-së, jo vetëm në aspektin e arnimit të krizës së euros, por edhe të forcimit të mëtejmë të unionit drejtë një marrëveshjeje federale, ku shtetet anëtare të BE-së do të duhej të heqin dorë edhe nga një pjesë e rëndësishme e sovranitetit të tyre.

Kriza e euros e ka ndarë katërshen e madhe të BE-së, Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe Italinë, në dy blloqe, ku Britania ka mbetur e izoluar dhe e distancuar nga fati i përbashkët i unionit, ndërkaq që Gjermania është paraqitur si lidere për nga fuqia dhe stabiliteti i ekonomisë së saj, dhe njëkohësisht edhe si insistuese për integrim edhe më të madh të BE-së, për të mirën e Evropës. Franca dhe sidomos Italia, për shkak të problemeve të brendshme dhe frikës se dobësimi i mëtutjeshëm i euros do të sillte më shumë dëme se sa dobi, po e ndjekin Gjermaninë në këtë kurs dhe kanë tërhequr pas edhe shumicën dërmuese të shteteve anëtare të BE-së, madje edhe ato që kanë shfaqur ndjeshmëri më të madhe për kufizimin e mëtutjeshëm të sovranitetit (Danimarka, çekia, Suedi).

Sfond i vendimeve të mëdha që po i merr Evropa e Bashkuar, nuk është se nuk ndërlidhet edhe me krizën në rajonin tonë, që duhet të tejkalohet në mënyrë që arkitektura e BE-së të bëhet më stabile në afatet më të gjata. Kështu, në një vlerësim më të balancuar politik, ardhja e Kancelares në Kosovë nuk duhet të merret si ndonjë befasi. Ajo ka qenë më herët edhe në Beograd, në fillim të shtatorit, dhe ka qenë rendi që ta vizitojë edhe Kosovën.

Zëri i Gjermanisë ka qenë gjithnjë i rëndësishëm në zgjidhjen e krizës në rajonin tonë, por që nga vizita e Kancelares në Beograd, Gjermania, dhe ajo personalisht, sikur e mori stafetën e zëdhënëses më të drejtpërdrejtë të BE-së për zgjidhjen e një mbetjeje të çuditshme dhe të paarsyeshme në procesin e shpërbërjes së ish-federatës së Jugosllavisë, problemin e Veriut të Kosovës. Fuqizimi i rolit të Gjermanisë dhe të Kancelares brenda BE-së mbase edhe është demonstruar për herë të parë në mënyrë më të hapur, kur ajo reagoi pa dorëza ndaj çështjes së Veriut të Kosovës, duke kërkuar nga Beogradi shpërbërjen e strukturave të pushtetit paralel të instaluara prej kohësh përtej lumit Ibër. Meqë këto struktura paralele financohen nga Beogradi, nuk pinin më ujë arsyetimet se ato janë në të vërtetë “struktura të vetorganizuara” dhe “përfaqësuese legjitime” të popullsisë së atjeshme.

Ajo që zgjon interes të jashtëzakonshëm për vizitën e sotme është se me çfarë porosie po vjen Kancelarja në Kosovë. Nuk është shumë falënderuese që të parashikohet fjala e saj, por mua më duket se nuk duhet pritur ndryshim të kursit të Merkel, sidomos sa i përket detyrave të shtëpisë që kancelarja tashmë ia ka dhënë Serbisë. Do të ishte befasi nëse ajo do ta zbutë këtë diskurs mu në Kosovë. Në të vërtetë pas 9 dhjetorit, kur u refuzua kandidatura e Serbisë për anëtarësim në BE, Kancelarja e ka përsëritur se Kosova mbetet kushti kryesor për Serbinë. Është e pamundur që pas 10 ditësh ajo t’i ndryshojë fjalët.

Por, me shumë interes duhen pritur porositë e saj për Kosovën dhe lidershipin e saj. Disi jam i bindur se ajo nuk do të tregojë vetëm mirësjellje dhe suport dashamirës, por do t’i adresojë edhe kritikat dhe do t’u japë edhe detyra serioze liderëve të Kosovës. Kjo aq më parë kur dihet mirëfilli se Qeveria Gjermane, që nga nëntori i vitit 2008, mbante një zemërim të konsiderueshëm ndaj Kryeministrit Hashim Thaçi pas burgosjes së 3 agjentëve të shërbimit sekret gjerman në Prishtinë. Takimi i sotëm me Thaçin mbase sinjalizon se aferën me agjentët gjermanë Kancelarja e konsideron të shkuar. Çmimi i kësaj zbutjeje është që Thaçi dhe bashkëpunëtorët duhet t’i hapin të katër veshët për porositë e Angelës si zëdhënëse e Evropës.

"Mapo"

KOMENTE