Tiranë, 19 dhjetor 2011, NOA- Kryebashkiaku Lulzim Basha konsultoi sot me banorët e Njësisë Bashkiake numër 2, projekt-buxhetin për vitin 2012.
Basha i njohu banorët me projektet që mbështet ky projekt-buxhet, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe prioritetin kryesor, punësimin.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, për të nxitur punësimin, por edhe zhvillimin ekonomik të Tiranës Basha bëri të ditur, se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të propozohen lehtësira fiskale për bizneset dhe kompanitë që hapin vende të reja pune.
“Në projekt- buxhet janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, ndërtimi i rreth 65.000 m2 rrugë, prej të cilave 33.000 m2 do të jenë rrugë tërësisht të reja. Po ashtu parashikohet rikonstruksioni i rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese dhe 79.000 m2 trotuare”, u shpreh Basha.
Sipas kryebashkiakut, investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku janë parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme, ndërtimi i 3 kopshteve dhe rikonstruksioni i 11 të rejave, ndërtimi i 2 çerdheve të reja dhe rikonstruksioni i 5 të tjerave, do të vijojë ofrimi i bonuseve financiare për nxënësit e shkëlqyer, do të ofrohen shkolla verore për fëmijët.
Sakaq një vëmendje të veçantë ai tha se shkon për mbështetje me fonde të politikave të saj sociale, ku parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale, bonusi i qerasë për familjet në nevojë, Programi i Integrimit të të Pastrehëve etj.
a.y/NOA