Tiranë, 19 dhjetor 2011, NOA- Qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë që qytetarët shqiptarë të mos bien në errësirë, deklaroi sot Kryetari i Qeverisë, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Në kushtet e një thatësire të pazakontë për këtë stinë, Kryeministri Berisha premtoi se do të importohet energji në mënyrë që konsumatorët të mos përjetojnë për asnjë moment ndërprerje të furnizimit me energji, siç ka ndodhur shumë vite rresht në dimër.
Ai përmendi këtu miratimin e aktit normativ të qeverisë, gjatë mbledhjes së javës së shkuar, e cila autorizoi KESH-in të marrë një kredi prej 50 milion dollarësh për blerjen e energjisë.
“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme thatësire në digat e HEC-eve, ne jemi detyruar të importojmë energji sa kurrë më parë, deri më tani kemi importuar në 700 milion Kv/orë. Nuk do të ndërpritet në asnjë moment energjia”, premtoi Kryeministri gjatë mbledhjes së grupit.
Ai shpjegoi se kuota e liqeneve dhe HEC-eve në vend kanë qenë në nivele tejet të ulëta dhe janë ende fare larg kapjes së niveleve optimale.
Duke garantuar se vendi nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, Kryeministri u shpreh se në rast nevoje do të modifikohet edhe buxheti i vitit 2012 për t’i dhënë zgjidhje problemit të furnizimit me energji, dhe se ajo do të blihet me çdo çmim.
Po kështu gjatë mbledhjes së sotme, Kryeministri Berisha u bëri me dije deputetëve të tij se qeveria do të shtyjë përmes një akti normativ, periudhën e faljes për regjistrimin e banesave dhe pasurive të tjera.
Procesi do të shtyhet edhe për dy muaj, pra deri në fund të muajit shkurt, bëri me dije Kryeministri.
Sipas tij shtyrja bëhet për shkak se në këto ditë të fundvitit ka dyndje të madhe të të interesuarve pranë zyrave të regjistrimit të banesave.
“Qeveria do të sjellë një akt-normativ me të cilën ne do të shtyjmë edhe me dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave dhe të pasurive të tjera, pasi ky proces ka ecur në mënyrë të shkëlqyer. Siç e kemi ne shqiptarët për natyrë, këto ditë të fundvitit ka një dyndje në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe procesi është i pamundur të përmbyllet brenda këtij viti. Andaj ne do ta shtyjmë deri në fund të muajit shkurt regjistrimin e banesave”, tha Kryetari i Qeverisë.
Sipas tij deri më tani banesat e regjistruara vlerësohen në një shumë prej 700 milion dollarësh, nga ku kanë përfituar 14 mijë familje.
Në fund të mbledhjes së grupit shefi i mazhorancës foli edhe për ndërhyrjet në buxhet, duke theksuar se me shkurtimin e shpenzimeve në qershor, borxhi publik jo vetëm që nuk është rritur, por do të ketë një ulje, jo dhe aq të lehtë sipas kryeministrit, pasi do të mbyllet për këtë vit, në shifrën 59 %.
“Ne bëmë një kontroll shumë të vendosur në borxhin publik, dhe ndërsa vitin e shkuar ishte 59.7, këtë vit presim ta mbyllim në vlerën 59 %. Në nivele të kontrollueshme kemi edhe inflacionin”, u shpreh kryeministri.
Ai vlerësoi gjithashtu edhe monitorimin që Bashkia e Tiranës po i bën tregjeve të shumicës dhe pakicës në kryeqytet, për të frenuar abuzimin me çmimet dhe rritjen e tyre në vigjilje të festave të fundvitit.
NOA