English

Merkel në Kosovë, Tadiç: Serbia asnjë iluzion për Kosovën

Beograd, 19 dhjetor 2011, NOA – Kur në Kosovë mbërrin sot kancelaria gjermane Angela Merkel, duke përforcuar kështu mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, Presidenti serb Boris Tadiç, ka propozuar një zgjidhje të situatës në veri të Kosovës, sovranitetin e dyfishtë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Presidenti Tadiç nënvizoi se Serbia nuk ka asnjë iluzion se mund ta kthejë Kosovën në sistemin e Republikës së Serbisë, ashtu siç ishte para vitit 2000, porse ajo nuk do të heqë dorë nga negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Tadiç ka deklaruar për gazetën maqedonase “Dnevnik”, se ndarja e Kosovës nga Serbia nuk është një zgjidhje reale.

Sipas Tadiç zgjidhja për Kosovën mund të jetë sovraniteti i dyfishtë, por edhe ndonjë model që bazohet në zgjidhje ndërkombëtare, siç është modeli irlandez, i Tirolit Jugor, apo ai i dy Gjermanive.

Në deklaratën e tij, presidenti serb është shprehur se Serbia aspiron integrimin në BE, duke preçizuar se qytetarët serbë nuk do të japin mbështetjen e duhur ndaj vendit, në rast se Serbia nuk mbron interesat e ashtuquajtura legjitime të serbëve, në veri të Kosovës.

“Serbia nuk mund të zgjasë integrimet evropiane nëse nuk ka mbështetje nga qytetarët, e ata nuk do të japin mbështetje në rast se shteti nuk i mbron interesat legjitime në Kosovë”, deklaroi presidenti serb, Boris Tadiç.

Kjo deklaratë e Tadiç, vjen kur kancelaria gjermane Angela Merkel, pritet të përcjellë mesazhe të fuqishme në mbështetje të Kosovës, ndërsa ajo vetë u bë zëri i fuqishëm kundër dhënies së statusit të kandidatit në BE Serbisë, në samitin e fundit të liderëve të BE-së.

Sipas zonjës Merkel, Serbia nuk ka përmbushur kushtet e BE-së për t’u anëtarësuar, pasi vijon ende të mbajë strukturat paralele në veri të Kosovës, ndërsa Presidenti Tadiç nuk arriti të bindë popullin e tij në veri të Kosovës të heqë barrikadat e të lirojë rrugët e shtetit të ri.

mit/NOA

KOMENTE