English

Merkel në Prishtinë: Zgjidhje paqësore për veriun e Kosovës, pres kontributin tuaj

Prishtinë, 19 dhjetor 2011, NOA Update – Kancelaria gjermane në vizitën e saj historike në Kosovë deklaroi se Kosova është një vend multietnik dhe demokratik në rajonin e Ballkanit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Zonja Merkel garantoi mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, duke nënvizuar në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi se “Ne jemi të angazhuar për Kosovën, dhe është tejet e rëndësishme që Kosova të zhvillohet dhe aty të sundojë ligji”.

Pasi falenderoi për pritjen e përzemërt të ofruar në aeroportin e Prishtinës me të mbërritur, kancelarja gjermane bëri me dije se është tejet e rëndësishme për Kosovën bashkëpunimi me EULEX-in, në mënyrë që bashkëpunimi siç tha ajo, të mos mbetet vetëm në letër.

Kancelarja Merkel u ndal tek situata në veri të Kosovës, duke garantuar se ajo ka biseduar me Presidentin serb Boris Tadiç, për gjetjen e mundësive dhe zgjidhjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj duhet të gjendet zgjidhje paqësore për veriun.

“Këtë pritshmëri unë e kam edhe për Kosovën, që edhe pala kosovare të japë kontributin e saj. Ne dëshirojmë që me ushtarët tanë dhe me përfaqësuesit tanë të angazhohemi që ky rajon të jetë më i sigurt. Duhet që edhe Kosova të ketë vullnetin për t’u angazhuar bashkë me ne”, theksoi kancelarja gjermane.

E pyetur nga gazetarët lidhur me atë ç’ka ajo i ka kërkuar Serbisë për normalizimin e situatës, kancelarja gjermane u përgjigj kështu:

“Në bisedat direkte me Serbinë ne kemi bërë të qartë se ka nevojë për gjetjen e mundësive për tregtinë e lirë, në aspektin kufitar. Jemi të angazhuar që Serbia të heqë strukturat paralele. Ne kemi bërë me dije edhe ç’ka presim nga Kosova, dhe kjo ishte edhe arsyeja e vizitës sime në Kosovë. Unë mendoj se është bërë një hap i madh, dhe tani duhet që pala kosovare të japë diç nga vetja në mënyrë që të ndalet konflikti me Serbinë”, u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ajo është e mendimit se kryeministri Thaçi ka bërë punë të mirë për këtë proces, ndërsa i garantoi besimin e saj të plotë.

Kancelarja gjermane tha se tejkalimi i situatës në veri të Kosovës nuk është edhe aq i lehtë.

Ndërsa cilësoi se për forcimin e shtetit ligjor mbetet ende për të bërë.

“Dhe Gjermania do të japë kontributin e saj për këtë qëllim dhe falenderoj edhe ushtarët gjermanë për kontributin e tyre në sigurinë e Kosovës”, tha Merkel, duke mbyllur fjalën e saj në konferencën për shtyp.

Ndërkohë, para saj kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se dialogu teknik është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë.

Kryeministri e siguroi kancelaren gjermane se zotohet për progresin e Kosovës në të ardhmen, duke nënvizuar se historia nuk duhet të bëhet pengesë për procesin.

Thaçi bëri me dije se “qytetarët serbë në veri të Kosovës janë qytetarët e vendit tim”.

Sipas tij në veri të Kosovës, konflikti i vetëm është ai mes ligjit dhe anarkisë.

E në këtë suazë kryeministri i Kosovës premtoi se luftimi i krimit e korrupsionit mbetet prioritet për qeverinë e Kosovës.

Ai i uroi shërim të shpejtë ushtarëve të KFOR-it, duke nënvizuar se ata i kanë dhënë shumë sigurisë së Kosovës, e njohur tashmë si shtet nga 85 vende të botës.

mit/NOA

KOMENTE