Tiranë, 19 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër territori shqiptar do të jetë nën ndikimin e një qendre të presionit të ulët atmosferik e vendosur në pellgun e Mesdheut. Në këto kushte vranësirat dhe reshjet e shiut do të dominojnë që në orët e para të ditës në të gjithë vendin ndërsa në zonat malore do të ketë reshje dëbore. Rrebeshe shiu shoqëruar me stuhi ere dhe shkarkesa rrufesh do të përjetojë bregdeti dhe zonat jugore. Në mesditë do të ketë dobësim të vranësirave në ultësirën perëndimore dhe për pasojë çarje me kthjellime. Po ashtu pasditja do të vijojë me vranësira dhe shira të dobët në pjesën më të madhe të vendit. Përjashtuar zonat malore ku do të ketë reshje dëbore, më problematike do të paraqitet situata në juglindje ku reshjet e dëborës do të jenë më të dendura. Gjatë natës do të ketë dobësim të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit të cilat do të zhvendosen drejt zonave jugore dhe juglindore.
Temperaturat e ajrit do të qendrojnë konstante në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë një rënie të temperaturave në të gjithë vendin.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi 40 km/h nga drejtim verior dhe verilindor duke bërë që dallgëzimi të arijë 3 ballë por në brigjet e Jonit dallgët do të ngjiten edhe 4 ballë.
Europa
Europa veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe reshjet e shiut dhe të dëborës do të dominojnë këto rajone. Problematike situata nga rrebeshet e shiut dhe dëbora e dendur do të paraqitet në zonën e Alpeve dhe në Gjermani pasi vranësirat do të fuqizohen gjatë mesditës dhe për pasojë do të gjenerojnë reshje të konsiderueshme shiu e dëbore. Gjithashtu reshjet e konsiderueshme të shiut e dëborës shoqëruar me stuhi të forta ere do të vendosen edhe në Europën Juglindore të cilat do të përfshijnë Jugun e Italise si dhe Ballkanin ku më të përqendruara do të jenë në Ballkanin Lindor pasi reshjet e shiut dhe të dëborës do të bien me intensitet të lartë dhe temperaturat do të pësojnë sërish rënie në të dy vlerat. Ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të mbetet me mot të kthjellët.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ballkani do të mbetet me reshje shiu dhe dëborë të dendur
- Gjermania do të rrezikohet nga dëbora e dendur dhe stuhi ere
- Zona e Alpeve alarmon dëborë të dendur dhe temperatura të ulëta
a.y/NOA