English

Policia: Kufoma e gjetur, mund të jetë një nga marinarët turq

Fier, 19 dhjetor 2011, NOA – Kufoma e dekompozuar, e gjetur dje në rërën e bregdetit të Darzezës në Fier, nga banorët e zonës mendohet se është e njërit prej marinarëve turkë të anijes së vogël tregtare “Reina 1”, e cila u mbyt pak kohë më parë në ujërat ndërkombëtare të Adriatikut pas përplasjes me tragetin “Ankara” të linjës Bari-Durrës-Bari, informon korrespondenti i agjencisë NOA.al.

Kufoma e një personi rreth të 30-ve u gjet dje në brigjet e fshatit Darzezë, por sipas policisë identifikimi i tij ishte i vështirë për shkak të dekompozimit.

Policia e Fierit dyshon se trupi i pajetë i gjetur është i një marinari turk të anijes së vogël, edhe për faktin se në trupin e tij u gjet një celular, që kishte numër me prefiks të Turqisë.

Policia po punon për identifikimin e viktimës.

Gjatë momentit të përplasjes dhe mbytjes së anijes tregtare turke “Reina 1” ndodhej një ekuipazh prej dhjetë marinarësh, dy nga të cilët shpëtuan gjallë, pesë u gjetën të vdekur dhe 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

mit/NOA

KOMENTE