English

Prezantohet Xhani de Biasi, trajneri i ri i Kombëtares Kuq e Zi

Tiranë, 19 dhjetor 2011, NOA – Pesë ditë pas shpalljes së tij si Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare Kuq e Zi, ish-trajneri i Breshias, Torinos dhe Udinezes, Xhani De Biasi ka mbërritur në Tiranë ku është prezantuar për herë të parë, ballë për ballë me kombëtaren shqiptare, që ai do ta drejtojë për dy vite rresht në eliminatoret e Botërorit të Futbollit 2014 që do të mbahet në Brazil, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pas nënshkrimit të kontratës dy-vjeçare me FSHF-në, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka e ka prezantuar trajnerin e ri të kuqezinjve, i cili deklaroi për mediat se ndihet krenar dhe i lumtur që i kanë besuar këtë detyrë të rëndësishme.

Kjo është hera e parë për Xhani De Biasin që do të drejtojë një skuadër kombëtare. Ish-qendërmesfushori italian në prononcimin e tij për mediat u shpreh se do të bëjë një organizim rrënjësor të kombëtares shqiptare, duke premtuar se do të bëjë gjithçka që kuqe zinjtë të arrijnë rezultate dhe objektivat konkrete në fushë.

Sipas De Biasit do të punohet shumë me qëllim që të gjenden arsyet se pse kombëtarja shqiptare ka rënë shumë në renditje.

55-vjeçari De Biasi, premtoi se do të punojë shumë me kombëtaren, dhe se do të aplikojë një komunikim direkt me lojtarët.

Ai tha se ndeshjet për eliminatoret e Botërorit 2014 do të jenë të forta, pasi Shqipëria do të luajë në grupin E, një grup impenjativ, me skuadra të forta, si Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, Qipro e Islanda.

Ndërkohë, Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, duke iu referuar Vitit të Pavarësisë, nënvizoi se edhe stadiumi i ri Kombëtar pritet të përfundojë brenda vitit 2012, kur Shqipëria do të festojë përgjatë tërë vitit 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

55-vjeçari Xhani De Biasi merr detyrën pas trajnerit kroat Josip Kuzhe, i cili dha dorëheqjen nga ky post në tetor.

De Biasi është i dyti trajner italian që drejton kombëtaren kuq e zio pas trajnerit Dosena. Kombëtarja Kuq e Zi nuk ka shënuar fitore në ndeshjet e fundit, andaj pritshmëritë për trajnerin De Biasi janë të shumta. mit/NOA

KOMENTE