English

Sindikata e Policisë: Nuk po marrim shpërblim e as trajtim ushqimor

Tiranë, 19 dhjetor 2011, NOA- Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit nëpërmjet kryetarit Sadetin Fishta shprehet se nuk po shpërblehen punonjësit e policisë.

Siç raporton NOA.al, sipas Fishtës, “Drejtori i Përgjithshëm ka kaluar kërkesat për shpërblime në fund të vitit për punonjësit e policisë. Por, Thesari i Shtetit, me urdhër dhe me vendim të qeverisë, që bie ndesh me aktet e mësipërme, ka bllokuar fondin që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do ta përdorte në zbatim të ligjit për shpërblimet në fund të vitit. Si asnjëherë tjetër, punonjësit e policisë e ndjejnë veten në këtë fundviti mjaft të rënduar ekonomikisht, edhe për faktin që qeveria u ka borxh punonjësve të policisë”.

Në argumentin e tij thuhet se nuk jepen shpërblim për vjetërsinë e punonjësve të policisë dhe se punonjësit e policisë nuk marrin trajtimin ushqimor që nga viti 2008, ku sipas ligjit u takojnë 10 mijë lek në muaj.

Fishta thekson se, është e patolerueshme që qeveria të bllokonte edhe fondin e veçantë, duke i lënë pa asnjë lloj shpërblimi punonjësit e policisë për festat e fundit të vitit, në një kohë që krimi nuk po kursen jo vetëm jetën e punonjësve të policisë, por edhe të familjeve të tyre, siç ndodhi edhe në rastin e fundit me Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Në përfundim Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë shprehet se punonjësit e policisë do të përdorim të gjitha hapësirat ligjore, duke u bërë thirrje punonjësve të policisë për të refuzuar shërbimet jashtë orarit të punës.

a.y/NOA

KOMENTE