English

2011, Holtkemper: Vit politik pozitiv, integrimi në duart e shqiptarëve

Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA- Ambasadorja gjermane në vendin tonë Carola Muller-Holtkemper, e cilëson vitin 2011 si një vit politik me dinamikë pozitive.

një intervistë për Deutche Welle, ambasadorja gjermane shprehet se deklarata e përbashkët e partive qeveritare dhe të opozitës lidhur me bashkëpunimin e tyre është një hap mjaft i rëndësishëm i asaj, që ka realizuar Shqipëria deri tani.

Sipas saj, për Parlamentin Europian vlen një falenderim mjaft i madh për faktin, që ia arriti të bëjë bashkë në një tryezë partitë e mazhorancës dhe të opozitës.

“Unë mendoj se viti 2011 shënohet nga një dinamikë më së shumti pozitive. Qeveria dhe opozita kanë arritur të bien dakord me hapat, që do të ndjekin për përmirësimin e rregullores së punës së parlamentit, gjithashtu kanë vendosur të punojnë për reformën elektorale dhe kanë arritur të bëjnë një plan veprimi në përputhje me frymën dhe rekomandimet e Progres Raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deri më tani ka dhe hapa konkretë, për shembull zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Kombëtare, apo dhe për Avokatin e Popullit, ku janë realizuar procedura tejet transparente, në bazë të konkurrueshmërisë dhe përshtatshmërisë së kandidaturave. Na mbetet të shpresojmë në vijim që edhe postet e tjera me të njëjtën përgjegjësi të mund të përzgjidhen dhe të përcaktohen me të njëjtën transparencë”, shprehet Holtkemper.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit ajo konstaton se korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mbajnë larg investitorët e huaj, të cilët do të mund të krijonin vende pune të reja me anë të dijeve dhe kapitalit, që do të sillnin në vend, si dhe do të mund të ndihmonin nëpërmjet aktiviteteve ekonomike bilancin deficitar të Shqipërisë në këtë kontekst, ku thekon se i takon drejtësisë shqiptare dhe shoqërisë civile të jetë aktive, duke përfshirë këtu dhe mediat vigjilente dhe të pavarura, që luajnë një rol vendimtar në luftën kundër korrupsionit.

Për sa i përket imunitetit të zyrtarëve të lartë, ajo konstaton se një nivel i caktuar, i kufizuar i imunitetit është i domosdoshëm për funksionimin e disa organeve të caktuara kushtetuese, si shprehje e ndarjes së pushteteve, por se ai duhet të funksionojë sipas modelit të Bundestagut gjerman.

E pyetur se sa shanse ka që në mesin e vitit 2012 Shqipëria të arrijë objektivin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, ambasadorja Carola Muller-Holtkemper, shprehet se, “Progresi i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian varet nga vetë shqiptarët. Kriteret e hapit të mëtejshëm për të fituar statusin e vendit kandidat janë tashmë të formuluara mjaft qartë, transparente dhe të bëra publike në Progres Raportin e Komisionit Europian. Nga 12 rekomandimet e përpiluara aty unë do të konsideroja si të shpejta për t'u përmbushur miratimin e ligjeve me 3/5-at, krijimin dhe ndërtimin e një bashkëpunimi konstruktiv mes partive politike. Pas këtyre vijnë ato rekomandime, që kanë të bëjnë me kushtet, që kërkojnë një farë kohe për t'u përmbushur, sikundër është ndërtimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit etj. Ne vijojmë në këtë kontekst të jemi të gatshëm që t'i ofrojmë Shqipërisë mbështetjen tonë edhe për këto sektorë kritikë të zhvillimit të vendit, duke e bërë këtë nëpërmjet projekteve të ndryshme, sikundër mund të ishte ai i qeverisjes së mirë etj”.

Sakaq ajo e ka cilësuar vitin 2011 si një vit të mirë në marrëdhëniet gjermano-shqiptare, ku siç raporton NOA.al, ka patur një shkëmbim intensiv të vizitave në nivel të lartë në të dy drejtimet.

a.y/NOA

KOMENTE