Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- Aleanca Kuq e Zi ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Greqise Stavros Dhimas i cili kritikoi dhe shprehu dyshime për procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua gjatë muajit tetor në Shqipëri.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Aleanca Kuq e Zi e konsideron deklaratën e ministrit si ndërhyrje brutale të qeverise helene në punët e brendshme të Shqipërisë, e cila për të disatën herë vertetoi se ka kapur shtetin shqiptar nga të gjitha anët e tij.
Në qëndrimin e AK thuhet se, “Aleanca Kuq e Zi deklaron dhe kundërshton fjalët e Minstrit Grek të Punëve të Jashtme për vetë faktin sepse ai nuk mund të kritikojë një proces të cilin e ka hartuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, për të cilin i vuri kushte të forta ekzekutivit shqiptar duke e shfokusuar nga 12 rekomandimet e Bashkimit Europian dhe spostuar gjithë energjitë tek rekomandimi i 13 i Athinës. Aleanca Kuq e Zi i kërkon Minitrit të Jashtëm të Greqise Stavros Dhimas që të dalë në deklaratë dhe të japë shpjegime për vrasjet makabre që i janë bërë shtetasve shqiptar në tokën greke përpara se të kërkoj të drejtat e minoriteteve greke në Shqipëri”.
a.y/NOA