Prishtinë, 20 dhjetor 2011, NOA - Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë ndërmend që të ndjekin nga pas Lëvizjen Vetëvendosje, sidomos në rrugë. Partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt nuk do ta mbështesin lëvizjen e Albin Kurtit për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, edhe nëse Qeveria nuk e implementon mocionin e kaluar ditë më parë në Kuvend.
Ndonëse ditë më parë, pikërisht falë votave të këtyre dy partive, Vetëvendosje kishte kaluar mocionin për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, megjithatë përfaqësues të LDK-së e të AAK-së thonë se do të kërkojnë rrugën institucionale për implementimin e këtij mocioni.
Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, ka thënë se ky mocion e ka pasur gjithë mbështetjen e opozitës në Kuvendin e Kosovës e që, sipas saj, ka qenë një mocion që ka treguar se kur opozita vërtet vepron e bashkuar edhe mund t’i arrijë qëllimet e veta.
a.k/NOA