Nga Artan Hoxha
1. Siç dhe u parashikua, ndryshe nga ndonjë iluzion afatshkurtër, as Kurban-Libri as Kongresi, as Asambleja socialiste nuk mbyllën çarjet e së majtës së gjerë politike dhe/ose të opozitës së zgjeruar me ca djathtas. Çarjet po thellohen. Copëzat, ndonjë më herët e ndonjë më vonë, po shkëputen. Pjesa që mbetet, e madhe dhe e rëndësishme, por më e vogël gjithsesi, po kompaktësohet si rrjedhojë e shkëputjes dëshpëruese të copëzave dhe mungesës së alternativës për mbetjet brenda pjesës së madhe. Dikush mund ta shohë si shpëtim të trupit nga heqja, me operacionin inteligjent e kurajoz të kirurgut të talentuar, të qelizave tumorale. Një tjetër mund ta shohë si metoda e doktor Adhamudhit. Një tjetër këndvështrim është ai i determinizmit shkak-pasojë. 2. Që nga gushti i këtij viti e deri së fundmi, Rama dhe të tijtë heshtën ndaj procesit gjyqësor me pikënisje videoskandalin Meta-Prifti, video kjo që shërbeu si nxitës kryesor i emocioneve dhe justifikim i demonstratës së dhunshme të 21 janarit të popullit opozitar të zemëruar si me komandë. Ndonjë shprehje në Kurban-libër krijoi shpresë se diçka do ndodhte mes PS dhe LSI. Asgjë e këtillë nuk ndodhi. Javën e kaluar në Durrës, Edi Rama e ricilësoi Ilir Metën dhe LSI si pjesë të regjimit fashist oriental të Saliut. 3. Akuza në Kongres për Rexhep Meidanin nga dy eksponentë socialistë, se me kritikat për opozitën po i shërben Saliut, u vulos me editorialin e Edi Ramës një ditë më parë. Aritmetika dhe logjika e Meidanit nuk vlen për të. Rama kërkon besnikëri dhe përkushtim. O me të, o kundra tij e me Saliun. I njëjti parim vlen edhe për Kastriot Islamin, aritmetika dhe logjika historike e të cilit ka qenë e pamëshirshme siç shpesh janë të vërtetat. Është vendosur me kohë. Islami, më mirë tani sesa më vonë, për disa skifterë socialistë me vonesë tashmë, do bëhet shembull dhe eksperiment. Shembull për të tjerët që mund të guxojnë. Eksperiment për të matur se deri ku shkon rezistenca e brendshme ndaj spastrimeve të ardhshme. 4. Copëza të zhgënjyera të së majtës opozitare po bashkohen rreth qëllimit të ndryshimit të sistemit zgjedhor, mbytës për të vegjlit. Gjinushi, Milo, Koçi po perceptojnë prishjen e mundshme të marrëveshjeve me PS për një sistem zgjedhor sa më proporcional, premtim i kahershëm ky që duket që ose është thënë, ose është lënë të kuptohet nga Edi Rama, ndërsa e gjithë analiza logjike të bën të besosh se ky i sotmi është sistemi që PS i intereson më shumë. Shpresa e socialdemokratëve dhe socialistëve të vërtetë po shuhet duke iu afruar zgjedhjeve 2013, siç ëndrra shuhet ngadalë nga zgjimi i përkorë. Krahas këtyre, nismë shkëputjeje ka shfaqur edhe PDK e Nard Ndokës, vendi i së cilës, në situatë normale, është në të djathtë. E qartë që Edi Rama nuk i dëshiron këto shkëputje. Por ai as nuk i ndalon dot të ndodhin, nëse çmimi që i kërkohet të paguajë rëndon më shumë se dobia e këtyre aleatëve, që sa më pak vota të kenë, aq më shumë kërkojnë të zhvatin pushtet. 5. Gjithë ç’po ndodh, nuk është rastësi e çrregullt. Krejt e kundërta. Gjithçka po ndodh si rezultat i një shkaku më të hershëm, me peshë dhe fuqi vepruese në diktimin e rrjedhës së mëtejshme të ngjarjeve. Momentet deterministike duhen kërkuar në të shkuarën, tek udhëkryqi kur u bë zgjedhja e rrugës drejt së ardhmes. Nëse kuptojmë arsyet e zgjedhjes në të shkuarën, mund t’i qasemi të sotmes dhe zhvillimeve më të mundshme në horizont. Kthimi mbrapsht në kohë, ngjarje pas ngjarjeje, na çon te mohimi i humbjes së zgjedhjeve 2009 nga Edi Rama. 6. Natyrisht, humbja 2009 u gatit edhe nga ndarja më e hershme PS-LSI, por kjo ngjarje, ndonëse e rëndësishme, nuk është shkaku determinant i prishjes së rrjedhës normale të ngjarjeve. Mundet që Edi Rama, siç edhe thotë, ta ketë pasur të pamundur, ose i është dukur e pamundur të menaxhonte ambiciet e Ilir Metës për pushtet dhe/ose të ketë dyshuar se Meta do kalëronte mbi të sa për të kaluar lumin drejt për tek Saliu pas zgjedhjeve. Ashtu siç mundet edhe më shumë që Edi Rama të ketë vendosur të tentojë t’i fitojë i vetëm zgjedhjet, ndonëse do ketë pasur mjaftueshëm të dhëna se kjo do ishte një ndërmarrje me risk tepër të lartë, por jo e pamundur gjithashtu. Në fakt, Rama garoi fort dhe nga fitorja u nda veçse me pak vota. Për pak gjë do ishte kryeministër me një fitore njëherazi kundër Saliut, Fatosit dhe Ilirit të politikës së vjetër siç i cilëson. Zgjodhi riskun e lartë për fitoren madhështore. 7. Kthesa deterministike është ajo që shkakton prishjen normale të rrjedhës së ngjarjeve. Rrjedha normale e ngjarjeve pas humbjes 2009 do të ishte vetëlargimi pa kthim i Edi Ramës nga PS, që do pasohej nga zgjedhja e një kryetari të ri. Opozita s’do kish nevojë të futej në rrugën e ekstremizmit politik me bojkot, demonstrata dhe dhunë. Arsyet e çarjes me LSI do dobësoheshin vetiu. Koha do punonte natyrshëm për një ribashkim të së majtës. Qeveria PD-LSI do kishte jetë të shkurtër. Me shumë gjasa deri në dhjetor 2010, kur jo vetëm u hoqën vizat, por do ish marrë edhe statusi i vendit kandidat. Të gjithë të realizuar. PD me suksese. LSI me suksese. PS kontribuuese në këto suksese të vendit. Atmosfere e paqtë. Askush s’do kish droje nga zgjedhjet e parakohshme që do mund të mbaheshin njëkohësisht me ato vendore. Historia nuk bëhet me sikur, por kjo do kish qenë një rrjedhë e arsyeshme e ngjarjeve. 8. Edi Rama vendosi të qëndrojë. Ka gjasa që kjo të ketë qenë planifikuar para zgjedhjeve si skenar në rast humbjeje. Justifikimi i humbjes u përgatit përpara se ajo të ndodhte. Pas saj, të rinjtë qe i kish bërë deputetë, s’kish si të mos ishin me Ramën. Të vjetrit u përçanë. Ca dolën në mbështetje të vazhdimit të rrjedhës normale të ngjarjeve pas humbjes e ca për prishjen e normalitetit. Ndarja e të vjetërve u pa që para zgjedhjeve. Ata që ishin qartësisht në mbështetje të “Politikës së Re”, mbështetën vazhdimin e kryesimit të Ramës. Kujtoj këtu një deklarim të Gramoz Ruçit në emisionin “Opinion” para zgjedhjeve, që ai ishte jo thjesht mbështetës, por edhe bashkideator i “Politikë së Re”. 9. Diferenca e ngushtë dhe defekte më se normale u shfrytëzuan për tezën e vjedhjes së padukshme, natën, të zgjedhjeve. Moshapja e kutive nga KQZ e Kolegji shërbyen si prova logjike të fshehjes së vjedhjes, pra dhe të vetë ekzistencës së saj, gjurmët e së cilës ishin ndryrë brenda në kuti. Raporti i OSBE/ODIHR në shtator certifikonte arritjen e shumicës së standardeve dhe rrëzonte pretendimet për manipulime. Ndaj, teoria e vjedhjes domosdoshmërisht duhej të ishte sa më impresionuese, absurde dhe arrogante. Kauza e votës së lirë do bëhej, pashmangshmërisht, shkalla e ringjitjes, pa zbritur asnjë çast, të Edi Ramës në krye të PS dhe njëherazi e zbritjes së PS në honin e ekstremizmit opozitar. 10. Një pjesë e mirë e socialisteve e kanë besuar tezën e vjedhjes së zgjedhjeve. Plot të tjerë, ndonëse nuk e besuan, mbështesin çdo mënyrë për ardhjen në pushtet. Të tjerë e mbështetën, pasi mbetja e Edi Ramës në krye ruante stauskuonë jo vetëm për të, por këdo në të gjitha nivelet e tjera partiake. Në udhëkryqin e verës 2009, socialistët zgjodhën, pranuan apo u detyruan të zgjidhnin, ca më shpejt e ca më vonë, rrugën e Edi Ramës. Platforma ekstremiste e tij, bërë edhe më shumë ekstremiste për shkak të sfidës së brendshme, u shpall në shtator 2009 dhe u zbatua pjesë-pjesë e shkallë-shkallë me ndonjë luhatje, por vendosmërisht, duke marrë forma ekstreme brenda dhe jashtë parlamentare deri në demonstrata të parapërgatitura e të paralajmëruara për të qenë të dhunshme deri përmes angazhimit të forcave ekstrapolitike në ekzekutimin e dhunës.
11. Sulmi ekstremist e i dhunshëm opozitar u përplas, pashmangshmërisht me mbrojtjen ekstreme e të dhunshme të maxhorancës në pushtet deri në zgjedhjet e majit 2011, rezultati i të cilave përsëriti identikisht qershorin 2009. Ekstremizmi pësoi disfatë. Kthesa u bë e domosdoshme. Por ajo s’mund të ishte radikale. Vetëm një kthesë e këtillë do mundësonte rikthimin e shpejtë të ngjarjeve në rrjedhën normale. Por kjo nënkupton ikjen pa kthim të Edi Ramës mbas humbjes së dytë, ngjarje kjo jashtë çdo imagjinate tashmë. Rama kontrollon gjithçka dhe s’ka as kuptim dhe as ndër mend të largohet. Ai po përgatitet për herën tjetër. E treta, e vërteta. I njëjti qëllim me të tjera mjete.
12. T’i kërkosh sot Edi Ramës të bashkojë të majtën, në thelb PS me LSI, do të thotë të kërkosh të pamundurën prej tij. Konflikti kulmoi deri në atë pikë dhe u konsumua deri në atë masë sa me Ramën kryetar, pajtimi me LSI është, teorikisht veç paksa i mundur, praktikisht edhe më i pamundur se në shtator 2009. Të arrish sot në konkluzionin se Edi Rama nuk e bashkon dot të majtën, siç konkludoi së fundmi Rexhep Meidani, është shumë vonë. Sot Edi Rama mund të shohë këdo drejtpërdrejt në sy e ta pyesë me qesëndi se si paskërka mundësi të bëhet ky pajtim e që ai s’po e bëkërka dot. Sot Edi Rama ka të drejtë, sepse ai arriti të diktojë prishjen e rrjedhës normale të ngjarjeve. Në anormalitet Rama ka të drejtë. Nëse del prej anormalitetit, ai s’ka më të drejtë, por s’mund të ekzistojë më. Ndaj s’do dalë nga anormaliteti. Në 2013-n do sulmojë si në 2009-n. I vetëm për gjithçka. Nëse fiton, fitorja do quhet historike. Nëse humbet, do bëjë ç’t’i shkrepë. Do rrijë a do ikë, do varet veç prej tij. Cili mund të ketë mbetur deri atëherë që ta sfidojë seriozisht, nëse vendos të rrijë?
*Panorama