Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA Update – Tashmë i çregjistruar nga radhët e Partisë Socialiste në Kuvend me një vendim të marrë sot me shumicë votash në mbledhjen me dyer të mbyllur të grupit kuvendor socialist, deputeti Kastriot Islami, një nga eksponentët kyç të Partisë Socialiste dhe një nga zërat ndryshe në selinë rozë, deklaroi se përjashtimi i tij ishte menduar nga Kryetari i PS-së Edi Rama prej disa kohësh, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ish-Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Kastriot Islami dha arsyet se pse Edi Rama kërkoi përjashtimin e tij nga Partia Socialiste, duke argumentuar se në këtë mes, është lufta mes projektit Rama për vënien nën diktatin e vet të PS-së me projektin që mbështet Islami për të majtën e bashkuar, e cila do të rikthente në pushtet të majtën.
Deputeti Kastriot Islami, deklaroi se përjashtimi i tij nuk do të kishte ndodhur po të mos kishte ardhur Rama në krye të PS-së në vitin 2005, ardhje e cila i ka kushtuar disa humbje radhazi opozitës në zgjedhje.
Islami theksoi se përjashtimi i tij nuk është çështjeje përballjeje personale mes atij dhe Ramës.
Ai shprehu keqardhje për këtë vendim të ndërmarrë me porosinë e Edi Ramës vetë, kur bëri me dije se një ditë më parë në një bisedë telefonike katërorëshe mes tyre, vetë Rama i kishte thënë se ti s’mund të ikësh nga PS për shkakun tim, pasi siç tha Islami, Rama kishte dëgjuar për gjoja një thashethem se ai do të vetëlargohej nga PS.
Deputeti Islami deklaroi se çregjistrimi i tij nuk ka për bazë disiplinimin e PS-së siç e propagandon Edi Rama, por kjo është një çështje e sjelljes së PS-së që kur në krye të saj ka ardhur Edi Rama.
Islami nënvizoi se nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte kurrë kundër PS-së, duke preçizuar se vendimi i Ramës erdhi për shkak se ai ishte kundër projektit të Ramës, dhe pro projektit për një të majtë të bashkuar.
Projekti Rama për fuqizimin e autoritetit të kryetarit ka dështuar qëkur u aplikua më herët nga PD-ja, tha Islami, duke nënvizuar se ai ka punuar në fuknsion të ndërtimit të një qeverisjeje për integrimin evropian dhe për të sjellë në pushtet të majtën e bashkuar, si e vetmja mundësi që largimin e kësaj mazhorance.
“Rama ka dështuar që kur erdhi në 2005 në krye të PS-së. Sot është përballja me projektin që Rama kërkon të vërë në jetë me forcimin e pushtetit të tij përmes klientelizmit. Nëse vazhdohet me këtë projekt, dështimi me shumë gjasa do të vijë edhe në zgjedhjet e 2013-ës”, tha Islami, duke bërë me dije se këtë mendim e ndajnë bashkë me të edhe kolegë të tjerë të PS-së.
“U bëj të qartë se ajo që po them sot nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë kundër asnjërit prej kolegëve. Alternativa e të majtës së bashkuar përballë projektit Rama i mbron të gjithë socialistët, jo vetëm në atë sallë, me një solidaritet dhe mbështetje”, tha ai, duke i cilësuar si themelin e vlerave të socialdemokracisë.
Islami tha se nuk është kundër të rinjve të sapoardhur në PS, porse ai nuk do të mund të pajtohej kurrë me projektin e Ramës për përjashtimin nga partia të atyre që kanë dhënë kontribut që prej themelimit të saj.
Zoti Islami nënvizoi se ai u përjashtua për shkak se ishte kundër projektit që çoi deri në kufijtë e djegies së mandateve kuvendore përmes bojkotit të Kuvendit, që sipas tij solli prishjen e imazhit të PS-së në Evropë.
Ai tha se një arsye tjetër e përjashtimit të tij nga Edi Rama ishte se ai ka qenë kundër veprimeve të rrugës të ndërmarra nga shefi i opozitës për rrëzimin e qeverisë Berisha përmes demonstrative të dhunshme në rrugë.
Sipas islamit pa bojkotin e Kuvendit PS do të kishte qenë më e suksesshme, pasi sipas tij bojkoti dhe greva ia nxinë imazhin PS-së.
Ai tha se PS e porositur nga Edi Rama veproi me dy standarde, pasi sipas tij kundër grevës së urisë në mes të bulevardit ishte shprehur kundër edhe deputeti tjetër I mendimit ndryshe, Ben Blushi, por për të nuk u mor asnjë vendim.
“Nuk mundet të jem dakord me një forcë politike me 66 deputetë, që merr vendim të hyjë në grevë urie, që u përmbyll me një darkë në Strasburg. Kjo është një arsye tjetër politike pse u kërkua përjashtimi im nga PS. 21 janari është një tjetër arsye e përjashtimit tim. Blushi tha asohere se Rama nuk u fut në mes të socialistëve në turmë për të shpëtuar jetën e demonstruesve”, tha Islami, por kjo deklaratë Ben Blushit nuk iu shënua në memorie.
Islami tha se aspak inteligjente për PS-së ka qenë edhe perceptimi për liberalizimin e vizave dhe sjelljet e saj radikale në process, që përkeqësuan perceptimin publik për PS-në.
Islami theksoi se një arsye tjetër e përjashtimit të tij është se parashikoi humbjen e ramës në zgjedhjet e 8 majit, kur kandidoi për të katërtën herë në Tiranë.
“Rama nuk duhej të kandidonte për herë të katërt në Tiranë, dhe këtë ia kam kërkuar vetë atij pikërisht me qëllimin që të punonte për të bashkuar të majtën dhe rikthimin e të majtës si fituese të zgjedhjeve, duke i bërë të qartë se pa bashkimin e të majtës fitorja e PS-së do të ishte e vështirë. Kjo është një arsye tjetër e përjashtimit tim nga PS, që e ka eksituar në ekstrem kryesocialistin”, tha islami.
Ai theksoi se respekton demokracinë e brendshme në parti, disiplinën duke nënvizuar se ka luftuar për këtë, pasi vetëm kështu PS do të kthehej në një parti për qytetarët dhe të ndërtonte një shtet modern. Deputeti Islami e cilësoi vendimin e sotëm për përjashtimin e tij nga radhët e PS-së si njollën më të zezë për Partinë Socialiste që prej themelimit të saj.
Islami e cilësoi vendimin e marrë në mungesë të tij si një veprim stalinist, që reflekton mbi të gjitha diktatin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili me projektin e tij për fuqizimin e autoritetit personal në PS po shkatërron të majtën dhe po e çon atë drejt humbjes së radhës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pasi kundërshtoi të bëhej pjesë e një mbledhjeje me dyer të mbyllura ku do të vendosej për përjashtimin e tij, deputeti Kastriot Islami tha se ai ishte i përgatitur për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit të PS-së, pas një takimi që kishte patur me zotin Ruçi, një ditë më parë.
Sipas Islamit në mbledhjen e mbyllur të grupit të PS-së, një nga më të rrallat për demokracinë dhe median, nuk u dha kohë as për t’u bërë autokritikë, siç ndodhi në vitin 1981, para 30 vjetësh.
Islami e konsideroi përjashtimin e tij si një veprim të paprecedent, në mungesë të personit që dënohej, veprim autoritar dhe stalinist.
“Sot po jo vetëm sot, jam i qetë dhe i vendosur në bindjet e mia, se pas 20 vjetësh sakrificash në PS-së dhe pas 6 vjetësh kur Edi Rama është në krye të PS-së, unë kryetari i Parlamentit të parë socialist, një nga drejtuesit e Komisionit për hartimin e Kushtetutës, pasi shantazhohem prej dy vjetësh, deri në kërcënimin e familjes, dhe marzhinalizohem për vajtjen në Kuvend dhe për shkak se parashikova humbjen e Ramës në zgjedhjet lokale, dëbohem nga Partia Socialiste”, u shpreh Islami duke shtuar se për këtë vendim ndien vetëm keqardhje.
mit/NOA