Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA – Kastriot Islami, Kryetari i Parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë, dhe një nga themeluesit e PS-së e cilësoi vendimin e sotëm për përjashtimin e tij nga radhët e PS-së si njollën më të zezë për Partinë Socialiste që prej themelimit të saj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në qëndrimin e bërë publik pak minuta më parë në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Islami e definoi vendimin e sotëm si një veprim stalinist, që reflekton mbi të gjitha diktatin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili me projektin e tij për fuqizimin e autoritetit personal në PS po shkatërron të majtën dhe po e çon atë drejt një tjetër humbjeje në zgjedhjet e ardhshme.
Pasi kundërshtoi të bëhej pjesë e një mbledhjeje me dyer të mbyllura ku do të vendosej për përjashtimin e tij, deputeti Kastriot Islami tha se ai ishte i përgatitur për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit të PS-së, pas një takimi që kishte patur me zotin Ruçi, një ditë më parë.
Sipas Islamit në mbledhjen e mbyllur të grupit të PS-së, një nga më të rrallat për demokracinë dhe median, nuk u dha kohë as për t’u bërë autokritikë, siç ndodhi në vitin 1981, para 30 vjetësh.
Islami e konsideroi përjashtimin e tij si një veprim të paprecedent, në mungesë të personit që dënohej, veprim autoritar dhe stalinist.
“Sot po jo vetëm sot, jam i qetë dhe i vendosur në bindjet e mia, se pas 20 vjetësh sakrificash në PS-së dhe pas 6 vjetësh kur Edi Rama është në krye të PS-së, unë kryetari i Parlamentit të parë socialist, një nga drejtuesit e Komisionit për hartimin e Kushtetutës, pasi shantazhohem prej dy vjetësh, deri në kërcënimin e familjes, dhe marzhinalizohem dhe për shkak se parashikova humbjen e Ramës në zgjedhjet lokale, dëbohem nga Partia Socialiste”, u shpreh Islami duke shtuar se për këtë vendim ndien vetëm keqardhje.
mit/NOA