Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA – Një ditë pas letrës që tetë deputetë socialistë i dërguan ministrit të Energjitikës Nasip Naço me 23 pyetje mbi situatën në minierën e Bulqizës, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitkës reagon duke bërë me dije se shumica e pyetjeve të deputetëve të PS-së i përkasin viteve 2000-2005, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ndërkohë që deputetët e PS-së akuzuan METE-n se po lejon që minatorët të trajtohen si skllevër në minierat e shndërruara në kampe përqendrimi të kohëve moderne, duke aluduar madje edhe për lidhje mafioze dhe përfitime të mëdha në kurriz të punës dhe jetës së minatorëve, METE i bën apel deputetëve që të dhënat që kanë për lidhjet mafioze t’i dërgojnë për hetime të mëtejshme në Prokurori.
Ndërkaq METE thekson në deklaratën e saj se në kërkesën e dorëzuar për përgjigje ndaj 23 pyetjeve mungojnë deputetët e zonës së Bulqizës, njëri syresh Qemal Minxhozi.
Sipas METE-s, deputetët firmëtarë të letrës nuk kanë qenë në strukturat e PS-së së zonës.
METE nënvizon se përgjigjet e pyetjeve të deputetëve do të bëhen të ditura shumë shpejt.
Në letrën e dërguar dje pranë METE-s, deputetët socialistë Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Besnik Baraj, Blendi Klosi, Artan Gaxhi, Ndue Kola, Arion Muçaj dhe Anduel Xhindi, duke iu referuar vdekjes dy ditë më parë të një tjetër minatory në thellësitë e minierës së Bulqizës, i kërkua ministrit të Energjitikës Nasip Naço të informojë në mënyrë të detajuar për situatën në minierën e Bulqizës dhe numrin e minatorëve që kanë gjetur vdekjen disa qindra metra nën tokë.
Deputetët e PS-së ngrenë shqetësimin se edhe pse greva e tejzgjatur e urisë e ndërmarrë gjatë verës nga minatorët është mbyllur, duket se kompania ACR nuk ka zgjidhur në mënyrë të plotë problemet e minierës, duke rrezikuar edhe më tej jetën e minatorëve që nxjerrin krom në minierën e Bulqizës.
Në letrën e dërguar METE-s, deputetët e opozitës akuzojnë ministrin e Energjitikës dhe kryeministrin se me deklaratat e tyre politike kanë përforcuar edhe më tej idenë se zgjidhja përfundimtare për të frenuar rrezikun në minierën e Bulqizës është më larg se kurrë.
“Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe Shoqërisë Koncesionare ACR duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike tuajat, të Kryeministrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”, theksojnë deputetët socialistë.
Sipas tyre minatorët vazhdojnë të humbin jetën në galeritë e minierave.
“Vetëm gjatë këtij muaji kanë humbur jetën mbi 5 minatorë. E pavarësisht shkaqeve të deklaruara ose të fshehura, fakt mbetet se fëmijë e familje vazhdojnë mbeten jetim mes katër rrugëve pse kanë humbur prindin, vëllain a të afërmin në errësirën e tuneleve”, thuhet më tej në kërkesën e drejtuar METE-s.
Sipas PS-së pasuria kombëtare në minierën e Bulqizës ashtu si dhe në çdo burim tjetër minerar, vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter duke rrezikuar seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të pasurisë kombëtare.
“Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot. Galeritë e minierave janë shndërruar në kampet e përqendrimit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babëzitur nxjerrin miliona euro përfitime me çmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave”, deklarojnë deputetët e opozitës.
Në këto rrethana, deputetët e opozitës i kërkojnë shpjegime ministrit Naço, duke i bërë me dije se ka një afat prej 15 ditësh për të përmbushur detyrën e tij në dhënien e informacionit për 23 pikat e kërkesës së socialistëve.
Madje deputetët socialistë përveç përgjigjeve për pyetjet, kërkojnë edhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit përkatës që disponon METE dhe agjencitë shtetërore të varësisë pranë METE-s dhe urdhërat e ministrit për ndalimin e më pas nisjen e punës në minierën e Bulqizës.
Ata i kërkojnë METE-s t’u vërë në dispozicion të gjithë komunikimin ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE, në mënyrë specifike shkresat me nr. Prot. 1742/3, dt. 20.04.2011 dhe 25.04.2011.
Ja 23 pyetjet për informacion të detajuar e të plotë për çështjet që lidhen me minierën e Bulqizës:
1. Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?
2. Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?
3. Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?
4. Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme?
5. Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
6. Sa eshte prodhimi i mineralit te kromit në Minierën e Bulqizës?
7. Nga prodhimi i pergjitheshem i mineralit te kromit sa eshte shkrire ne uzinat e ferrokromit dhe sa eshte ekportuar direkt si mineral?
8. Sa eshte vellimi i eksportit te mineralit te kromit apo ferrokromit ne ton dhe ne vlere?
9. Bazuar në Marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga Koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
10. A ka filluar te hapet Zona Veriore e minieres se Kromit Bulqize? Sa eshte avancuar drejt thellesise dhe kur perfundon hapja e saj?
11. METE, dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrëdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?
12. Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi sipas të cilit kjo marrëveshje edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?
13. Sa është fitimi i deklaruar i Koncesionarit kryesor në Bulqizë?
14. Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
15. Sa është numri total i subjekteve të liçensuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?
16. Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë liçensë?
17. Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tegu i mineraleve që eksportohet?
18. Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
19. Sot që flasim a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilëzohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?
20. Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?
21. Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?
22. Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?
23. Miniera e Kromit Bulqizë a ështe shpallur si miniere me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjësve në këtë miniere duke punuar me pajisje qe nuk plotësojnë kushtet e anti-deflagrances?
mit/NOA