Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA – Partia Socialiste pritet të diskutojë sot në Komisionin e Ekonomisë ndryshimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Propozimi i Partisë Socialiste lidhet me heqjen e kësaj takse për produktet bazë ushqimore.
Deputetët socialistë kanë kërkuar prej kohësh që për një pjesë të ushqimeve kjo taksë të ulet në nivelin zero, duke krijuar kështu më shumë mundësi për familjet me të ardhura të pakta. Kërkesa e PS-së është hedhur poshtë nga mazhoranca në qëndrimet publike që kanë mbajtur deputetët e Partisë Demokratike dhe drejtues të Mistrisë së Financave.
PS kërkon që në ligjin për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” të bëhen këto ndryshime;
Ndryshimet kryesore që propozohen të bëhen në ligj janë si më poshtë:
Pas nenit 24/1 të shtohet neni 24/2 me këtë përmbajtje :
“Furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.
Pas nenit 24/2 të shtohet neni 24/3 me këtë përmbajtje :
“Furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.
Pika 2 e nenit 30 të hiqet.
Kuptimi i neneve të propozuara është që furnizimet me mallrat bazë të shportës konsumatore: miell, bukë, qumësht, vezë, dhe ilaçe, janë shërbime të tatuara në masën 0 % TVSH, ndërsa furnizimet me vaj, sheqer dhe oriz janë furnizime të tatueshme në masën 10% të TVSH-së.
Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën si dhe me legjislacionin fiskal që ka lidhje me të. Konkretisht projektligji është në përputhje me nenin 4 të ligjit nr. 9920, datë 15.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
a.k/NOA