Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, masat ajrore të lagështa dhe të ftohta që vijnë nga veriu i kontinentit do të vendosen në territorin shqiptar. Për pasojë pjesa më e madhe e vendit do të dominohet nga vranësira dhe reshje shiu e dëborë por më të dendura do të jenë në jug dhe juglindje të territorit.
Pjesa e dytë e ditës do të sjellë serish fuqizim të vranësirave në jug dhe juglindje duke bërë që në këto zona të ketë reshje shiu e dëborë, më problematike nga reshjet e dëborës situata paraqitet në juglindje ndërsa pjesa tjetër e vendit do të jetë me shira, vranësira dhe reshje të dobëta shiu e dëbore. Edhe gjatë natës situata do të vijojë e njëjtë në zonat malore me vranësira dhe reshje dëbore por kthjellime do të ketë në veri dhe qendër të vendit.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në vlerat e mëngjesit, zonat më të ftohta do të jenë në juglindje të vendit. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 44 km/h nga drejtimi jugor dhe juglindor ndërsa dallgëzimi do të jetë 2 ballë. Në mbrëmje dhe gjatë natës dallgëzimi në Jon do të arrijë edhe 4 ballë.
Europa
Europa Veriperëndimore, Verilindore dhe ajo Qendrore do të mbeten me kushte të paqëndrueshme atmosferike. Në këto rajone do të dominojnë vranësirat, reshjet e shiut dhe të dëborës konkretisht vendet Nordike, Rusia, Gjermania dhe Polonia do të kenë dëborë të pakët. Ndërsa më të rrezikuara nga reshjet e shiut do të jenë Ishujt Britanik dhe Franca pasi do të bien në formë rrebeshi të shoqëruar me stuhi të forta ere. Moti i paqëndrueshëm do të vijojë në një pjesë të Rajonit të Mesdheut dhe në Europën Juglindore pasi vranësira dhe reshjet e shiut do të jenë prezente gjatë kësaj dite. Zona e Alpeve do të mbetet me dëborë të dendur. Ndërsa në pjesën tjetër të kontinentit Europian do të dominojë mot i kthjellt.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Vendet Nordike do të mbeten me reshje shiu dhe dëborë të dendur
- Ishujt Britanike do të kenë shira të dendur dhe stuhi të forta ere
- Greqia dhe Turqia do të rrezikohen për shira të konsiderueshëm
a.y/NOA