English

PDIU: Shteti shqiptar të ndalojë përfundimisht abuzimet greke ndaj çamëve

Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet që mbështet interesat çame në trojet e veta, përshëndet reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që e rradhiti çështjen e kthimit të shqiptarëve të Çamërisë në kufirin grek, si një ndër problemet kryesore të të drejtave të njeriut për vitin 2011, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“PDIU vlerëson thirrjen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për një zgjidhje të këtij problemi nga ana e shtetit shqiptar. Institucionet shtetërore shqiptare kanë detyrim dhe përgjegjësi kushtetuese për respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të shtetasve të tij”, deklaroi sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU, Ardit Bido.

Ai tha se ky reagim erdhi pas denoncimit të çështjes në institucionet e Bashkimit Evropian, te Komisioneri Fyle, presidenti i KE-së Barrozo, në Këshillin e Evropës, në ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, si edhe te komisioneri i të drejtave të njeriut në Strasburg, Hamerberg.

PDIU shpreh bindjen se denoncimet e saj kanë dhënë efektet e tyre të para, nëpërmjet apeleve pranë qeverisë greke.

“Ky abuzim i pastër me të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë duhet të marrë një fund në rrugë institucionale. Prandaj, PDIU i bën thirrje sërish shtetit shqiptar që të intensifikojë punën për të ndaluar këto lloj abuzimesh dhe falenderon të gjitha ato institucione shqiptare dhe ndërkombëtare që janë vendosur në krahun tonë duke denoncuar zyrtarisht apo publikisht këto shkelje”, përfundon deklarata e PDIU-së.

mit/NOA

KOMENTE