English

Plani Urbanistik, Basha merr mbështetjen e bashkive dhe komunave

Tiranë, 20 dhjetor 2011, NOA- Projekti i Tiranës metropolitane ka marrë sot mbështetjen e bashkive dhe komunave përreth. Nën drejtimin e kryebashkiakut Lulzim Basha u zhvillua sot mbledhja e grupit strategjik për hartimin e Planit Urbanistik. “Sot, duke u qëndruar afateve dhe përqasjes që kemi premtuar para publikut, kam kënaqësinë që në prani të grupit strategjik dhe pas njohjes me elementët kryesorë të këtij protokolli, të ftoj përfaqësuesit e zgjedhur të njësive vendore të Tiranës metropolitan, të vendosim firmat tona në këtë protokoll bashkëpunimi dhe menjëherë pas kësaj, të nisim punën me prezantimin e çështjeve që njoftova për rendin e ditës dhe seancën e diskutimit të strukturuar, me pyetje të drejtpërdrejta, të parapërgatitura, ku kërkohet ndërhyrja dhe kontributi i anëtarëve të grupit strategjik”, u shpreh Basha, raporton NOA.al. Basha vlerësoi në këtë mbledhje ecurinë e deritanishme të procesit të hartimit të Planit Urbanistik si dhe rolin aktiv të grupit strategjik për të trajtuar çështje të rëndësishme që qëndrojnë në themel të hartimit të planit urban për qytetin e Tiranës. Kryebashkiaku nënvizoi edhe në këtë mbledhje vendosmërinë për të dëgjuar zërin e publikut në trajtimin e planit urbanistik, me gjithë ngarkesën dhe përgjegjësinë që mbart ky proces. Në mbledhje ishin të pranishëm kryetarët e bashkive dhe komunave përreth Tiranës të cilët kanë mirëpritur propozimin e grupit strategjik që studimi dhe Plani Rregullues të shtrihen përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. Që në nisje të mbledhjes së radhës të grupit strategjik është nënshkruar Protokolli i Bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Bashkisë Kamëz, Komunës Paskuqan, Komunës Dajt, Komunës Farkë, Komunës Kashar, komunës Vaqarr dhe në prani të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ky Protokoll Bashkëpunimi parashikon që plani strategjik dhe rregullues i zhvillimit urban të Tiranës të shtrihet edhe në pjesë të konsiderueshme të territoreve të njësive vendore që kufizojnë kryeqytetin.

a.y/NOA

KOMENTE