English

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, Greqia notë proteste ne Bruksel

Athinë, 20 dhjetor 2011, NOA - Qeveria greke ka shprehur hapur shqetësimin e saj për procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, duke akuzuar autoritetet shqiptare për manipulim të shifrave sa i përket pakicës etnike greke, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ministri i Jashtëm grek, Stavros Dimas ka deklaruar në parlament se Athina zyrtare ia ka përcjellë këtë shqetësim si Komisionit Evropian ashtu edhe qeverisë shqiptare.

Duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve është një kriter bazë për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, kryediplmati grek i është përgjigjur interesimit të deputetëve të LAOS-it (Partia Sirena Popullore Ortodokse), mbi procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. “Ministria e Jashtme greke ka ndjekur me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet, që kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri dhe ka kërkuar si nga instancat europiane dhe ato shqiptare, që të respektohet dhe garantohet pacënueshmëria e procesit si dhe regjistrimi pa pengesa i pakicës etnike greke kudo ku ajo ndodhet”, theksoi gjatë fjalës së tij në parlament ministri i Jashtëm grek.

Sipas tij vendimi i Minoritetit Etnik Grek për të bojkotuar procesin e regjistrimit është një tregues i qartë i pabesueshmërisë së këtij komuniteti ndaj qeverisë shqiptare, e cila, u shpreh Dimas, duhet ta trajtojë me prioritet këtë shqetësim.

Duke iu referuar tekstit, që i është përcjellë autoriteteve të Brukselit, ministri i Jashtëm grek Stavros Dimas u shpreh se “Ky fakt, por edhe akuzat për manipulim të të dhënave gjatë procesit të regjistrimit ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rezultatet, që do të ketë censusi në Shqipëri, sidomos sa i përket minoriteteve”.

Mësohet se Athina zyrtare dhe deputetë të parlamentit grek kanë denoncuar në Komisionin Evropian, praktikat e ndjekura nga autoritetet shqiptare gjatë regjistrimit të popullsisë duke përmendur si shkelje të të drejtave të njeriut vendimin për të gjobitur deklaruesit e rremë.

Dimas tha në parlament se qeveria greke do të vazhdojë të inkurajojë marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke bërë çmos për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, i cili sipas tij vazhdon të jetë një urë miqësie mes dy vendeve.

mit/NOA

KOMENTE