Prishtinë, 20 dhjetor 2011, NOA- Zëvendëskryeministrja e Kosovës njëherësh udhëheqëse e delegacionit në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, priti sot në takim Andi Sparks, udhëheqës i Grupit të Punës për zbatim të marrëveshjes për Librat e Regjistrave Civil, dhe njëherësh dhe zëvendës shefi i misionit të EULEX. Siç informon NOA.al, me këtë rast, Sparks i dorëzoi Tahirit, librin e parë të skanuar dhe certifikuar të Regjistrit Civil, ndërkaq mbesin edhe 14.076 libra tjerë për tu certifikuar në të ardhmen. Në fjalën e saj me këtë rast, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se ky është një kontribut i mirë për pasurimin e të dhënave, por se Kosova nuk ka hequr dorë nga marrja e librave origjinalë, dhe këtë e konsiderojmë si fazë kalimtare e cila është një masë e përkohshme deri te koha e kthimit të librave origjinal, pasi që Librat e Regjistrave Civile nuk i përkasin Serbisë por Republikës së Kosovës. Marrëveshja për Librat e Regjistrit Civil, është arritur me 2 korrik 2011. Mësohet se sipas marrëveshjes librat origjinale do të skanohen dhe certifikohen nga EULEX. Deri më tani janë realizuar 7 takime të grupit punues për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq procesi i implementimit të marrëveshjes për Librat e Regjistrave Civil ka filluar të zbatohet më datën 5 dhjetor 2011. Libri është skanuar sipas modelit të skanimit të projektit të Kosovës, dhe i harmonizuar me bazën e të dhënave aktuale që ka Kosova, gjë e cila mundëson që sapo të përfundoj skanimi dhe certifikimi i gjithë librave që ndodhen në Serbi, menjëherë të jetë i përshtatshëm për përdorim.
a.y/NOA