English

Avokati i Popullit, Komisioni i Ligjeve miraton kandidaturën e Igli Totozanit

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA – Mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Ligjeve miratuan paraditen e të mërkurës kandidaturën e juristit Igli Totozani, i propozuar nga Partia Socialiste për postin e Avokatit të Popullit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, juristi Totozani prezantoi përvojën e tij në fushën e jurisprudencës, për të cilën është laureuar edhe në Gjenevë të Zvicrës.

Pedagogu i Drejtësisë dhe analisti për çështjet juridike Igli Totozani premtoi se do të punojë për të garantuar një institucion të pavarur dhe në mbrojtje të interesave të popullit.

Mandej, edhe pse e dhanë votën për Totozanin, duke vënë në vend premtimin e kryeministrit se mazhoranca do të votojë çdo emër të propozuar nga opozita për Avokatin e Popullit, deputetët demokratë thanë se juristi Totozani është një zgjedhje politike e PS-së, në një pozicion kushtetues si Ombudsmani.

Por, deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë vlerësim duke thënë se Igli Totozani nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Partisë Socialiste.

mit/NOA

KOMENTE