Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA - Banka Botërore miratoi një fond hua të re prej 21.6 milionë dollarësh, si financim shtesë për projektin e sigurisë së digave në Shqipëri, i cili parashikon rehabilitimin e tri digave të kaskadës së lumit Drin dhe rehabilitimin e HEC-it të Komanit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Këtë fond hua e vendosi Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore në kuadër të Programit APL të Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë.
Financimi shtesë do të plotësojë kredinë origjinale të agjencisë IDA-s prej 35.3 milionë USD për të mbështetur qeverinë në sigurimin e hidrocentraleve më të mëdha të vendit mbi kaskadën e Drinit.
Huaja në fjalë do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji për tregun rajonal të energjisë elektrike.
Huaja shtesë do të mbështesë plotësimin e dy aktiviteteve kryesore: Rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut i Dejës); dhe rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektro-mekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit.
“Ky financim shtesë do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të projektit origjinal, duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurimin e hidrocentraleve kryesorë të Shqipëri dhe duke ndihmuar në parandalimin e një fatkeqësie të mundshme nga një prishje e digës,” tha Salvador Rivera, Drejtuesi i ekipit të Bankës Botërore për Projektin e sigurisë së digave. Programi APL i Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë është pjesë e një programi më të madh të sigurisë së digave, i financuar paralelisht nga donatorë të tjerë si SECO-Zvicër, KfË Gjermani, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Shqipërisë.
mit/NOA