English

Basha: Buxheti 2012, model gare për minibashkitë

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- Kryebashkiaku Lulzim Basha u ndal sot në njësinë bashkiake numër 1 për tu konsultuar lidhur me buxhetin e vitit 2012.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Basha u tha qytetarëve se njësitë bashkiake që ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin do të përfitojnë më shumë fonde nga buxheti i Bashkisë.

Basha bëri të ditur projektet që do të mbështen nga buxheti i vitit 2012, për njësinë bashkiake, ku ndër të tjera përfshihet sistemi i shtratit të Lanës, ndërtimi i Urës së Shkozës ndërtimi i një shkolle dhe një çerdheje.

Nga ana e saj kryetarja e kësaj minibashkie Lindita Nikolli kërkoi nga Basha mbështetje për bashkëpunimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, për të ngritur një qendër komunitare për të rinjtë dhe të quhet Qendra e Transparencës Komunitare.

Ndër të tjera Basha tha se, “Në këtë buxhet do të nisim modelin e garës, për fonde bashkiake dhe do ta përforcojmë gjatë vitit dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që minibashkia ku territori mbahet më pastër, atje ku klima ndihet më miqësore ndaj qytetarit dhe biznesit, minibashkia që bën më shumë për rininë, që nga fëmijët e vegjël dhe rinia parauniversitare, do të stimulohet me fonde dhe projekte nga Bashkia e Tiranës. Me këtë dua të them, që do të shkojmë një hap më tej për kërkesën që parashtruat dhe jo vetëm që do ta mbështesim këtë që po bëni, por do ta nxisim këtë në të gjithë territorin e Tiranës”.

a.y/NOA

KOMENTE