English

Basha: Rikonstruksion dhe ndërtim rrugëve e objekteve arsimore

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- Në vijim të konsultimeve për projektbuxhetin e vitit 2012, kryebashkiaku Lulzim Basha u ndal në minibashkitë numër 8 dhe 9.

Në këto takime Basha u tha banorëve të këtyre njësive se investimet që do të mbështesë buxheti i vitit 2012 do nisin që nga infrastruktura rrugore, arsimore, sociale, etj.

“Në njësinë Bashkiake nr 8 ne kemi parashikuar këto investime. Në programin e menaxhimit të rrugëve dhe transportit publik ndërtimin e segmentit nga rruga Mahmut Fortuzi në ndërprerje me unazën, rrugën e Dibrës me trotuare dhe ndriçim, rrugën Gjon Buzuku, rrugën Xhemal Tafaj, rrugën Pandi Stillo si dhe sistemimin e infrastrukturës dhe asfaltimin e rrugës së brendshme në blokun që kufizohet me rrugën e Dibrës, rrugën Bardhyl dhe rrugës 4 Dëshmorët. Rikonstruksionin e kopshtit 35, ndërtimin e një shkolle të mesme, si dhe rikualifikimin urban të bllokut 34/1 dhe sheshit pranë Medresës me një sipërfaqe prej 2.3 hektarësh. Këtu nuk është përfshirë, blloku tek ish Uzina Dinamo një investim me një vlerë për afro 3 milionë euro për të cilin bashkia ka aplikuar për fonde në Komisionin Europian”, tha Basha.

Ndër të tjera kryebashkiaku përmendi ndër investimet e parashikuara për njësinë bashkiake numër 9 si rikualifikimin urban e 3 blloqeve banimi, ku përfshihen kanalizime, ujësjellës, infrastrukturë rrugore, arsimore e sociale, hapësira të gjelbra etj. Po kështu me vëmendje të veçantë është trajtuar edhe rikonstruksioni dhe ndërtimi i rrugëve dhe objekteve arsimore.

Kryebashkiaku i njohu banorët edhe me investimet strategjike ku në një pjesë të madhe përfitojnë te dy njësitë bashkiake siç është zhvendosja e stacionit të trenit, bulevardi i Tiranës, ndërtimi i tramit etj.

Në buxhetin e Bashkisë i cili përllogaritet në rreth 70 milionë dollarë parashikohet trefishim i investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite dhe shpërndarje e tyre anembanë qytetit.

a.y/NOA

KOMENTE