Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar sot nga historianët dhe studiuesit shqiptarë që të ridimensionojnë historinë e vendit dhe të pasqyrojnë ngjarjet e rëndësishme të kombit me vërtetësi, duke u shmangur nga interpretimi që u ka bërë komunizmi.
Në fjalën e mbajtur në ditën ndërkombëtare të Albanologjisë, Berisha u shpreh se “100 vjetori i Pavarësisë është momenti për nxjerrjen në shesh të të vërtetave të mëdha të kombit”. Ai shtoi se është detyrë e historianëve që të zgjidhin problemin e raportit të kombit me historinë dhe të vërtetën.
“Në të gjithë historinë tonë, kombi ynë ka pasur një problem madhor dhe ky ka qenë raporti i tij me të vërtetën. Ne duhet ti shohim gjërat me sensin e realizmit. Një komb i lirë e ndërton këtë raport gjithnjë më të saktë me të vërtetën. Një komb i shtypur nuk e ndërton dot atë”,- tha Berisha.
a.k/NOA