Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA – Kryetari i Qeverisë, Sali Berisha thirri sot mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, që do të vendosë për hartimin e strategjisë së re të zhvillimit të integrimit të vendit për nëntë vitet e ardhshme, deri në vitin 2020, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryeministri Berisha deklaroi se strategjia 13 20 do të ketë dy objektiva madhorë, Shqipëria vend i zhvilluar dhe Shqipëria vend i integruar në BE.
Sipas tij strategjia duhet të ketë si kryemotiv të sajin shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar dhe një vend me zhvillim të qëndrueshëm.
“Përcaktimi ynë është përfundimtar. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se shmangia e çdo gabimi me qëllim që të paguajnë më pak gjeneratat që vijnë”, tha Kryetari i Qeverisë.
“Ne kemi vendosur një strategji, e cila është tejkaluar nga zhvillimet. Kjo duhet të përcaktojë rrugën e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe objektivi themelor do të mbetet Shqipëria dixhitale, qeverisja e hapur. Ky duhet të jetë një nga drejtimet kryesore të strategjisë sonë për zhvillim e integrim”, tha zoti Berisha, duke folur për këtë nismë të ndërmarrë vitin e shkuar nga presidenti amerikan Barak Obama.
Këtu ai bëri thirrje që objektivat e kësaj nisme të jenë frymëzim dhe detyrë për qeverinë dhe agjencitë përkatëse.
Ndërkohë kryeministri foli edhe për planin e ri të integrimit të vendit, i hartuar nga Ministria e Integrimit në bashkëpunim edhe me opozitën.
Ai vlerësoi angazhimin e opozitës për të bashkëpunuar në këtë proces të integrimit të vendit.
“Qeveria do të adresojë të gjithë problematikën e planit të veprimit, të raporteve të adresuara nga Komisionit Evropian. Procesi njohu ngadalësim për disa shkaqe të njohura. Fakt është se opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Mbi këtë angazhim Ministria dhe Komisioni i Integrimit, i kryesuar nga opozita e rishqyrtoi edhe një herë planin e ri të integrimit”, tha kryeministri.
Sistemi i Komitetit të Planifikimit të Strategjive, nisi nga një grup i vogël i administratës në vitin 2005, dhe ia doli dora dorës të kristalizojë strategjinë, që kishte si ide fillestare parashikimin dhe përmbushjen e objektivave të mijëvjeçarit, duke u zhvilluar më tej.
Këtu kryeministri vlerësoi hapat e ndjeshëm që bëri Shqipëria gjatë kësaj kohe, në përafrimin me BE-në, duke firmosur marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, gjë, që e zhvendosi mandej tërë strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrimin e vendit.
Kjo strategji tha shefi i qeverisë ka shërbyer si program i qeverisjes, në përpjekjet e saj për zhvillimin e vendit dhe integrimin e saj në BE.
Kryeministri premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka që në epiqendër të strategjisë të jetë zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë.
“Ne jemi një ndër vendet me potenciale të mëdha të energjisë rinovueshme, ne kemi një biodiversitet të pashembullt në botë dhe duhet të ndërmarrin një program pyllëzimi drurësh frutorë. Ne do të bëjmë gjithçka, do mbajmë nën kontrollin më të plotë çdo hap të zhvillimit tonë në standardet më të mira që ekzistojnë. Të dhënat dhe tërë përpjekja jonë për zhvillim tek qytetari i thjeshtë konvertohet në të ardhura”, deklaroi kryeministri.
Ai tha se treguesit tregojnë se në indeksin Guiness ne sërish jemi jo larg vendeve me indeks të mirë të ndarjes së të ardhurave.
Sipas Berishës vdekshmëria tek shqiptarët është më e ulëta krahasuar me vendet e tjera ish-komuniste, duke shtuar se shqiptarët janë më mirë në renditje se sa disa vende perëndimore që nuk vuajtën perden e hekurt.
Duke folur për jetëgjatësinë, Berisha tha se shqiptarët nuk hyjnë ndër vendet me jetëgjatësitë më të larta në botë, por shtoi se Shqipëria është shumë afër me disa nga vendet më të zhvilluara të planetit.
Edhe vdekshmëria foshnjore, tha kryeministri, ka zbritur në vlera njëshifrore, duke e cilësuar këtë si një tregues shumë sensitiv të kulturës dhe përkujdesit.
mit/NOA