English

By pass-et e Fierit dhe Vlorës përmirësojnë rrugën drejt bregdetit jonian

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA – Qeveria miratoi sot vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e by pass-ve të rrugës së Fierit dhe të Vlorës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Vendimi për ratifikimin e marrëveshjes pritet të shkojë së shpejti në Parlament, ku pas miratimit do t’i hapë dritën jeshile tenderimit për fillimin e këtij by pass-it.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri i cilësoi bypass-et shumë të rëndësishme për këto dy qytete dhe zonat përreth.

“I hartuar nga studiot më të mira, me garantimin e tij, infrastruktura rrugore e bregdetit jonian bëhet më e përshtatshme” tha kryeministri.

Ai u ndal në këtë vendim duke e cilësuar një zhvillim madhor.

By-passi i Fierit, një investim prej rreth 50 milion euro, fillimisht kalonte afër Apolonisë, por për shkak të rrënojave arkeologjike projekti i parë u bllokua, dhe projekti i dytë prej 22 km, iu paraqit kreditorëve, të cilët e miratuan me dashamirësi.

Sipas kryeministrit i një rëndësie shumë të madhe është dhe by pass-i i Vlorës, i cili kushton rreth 40 milion euro, pasi e anashkalon tërësisht Vlorën, Rradhimën dhe zonën e urbanizuar të bregdetit të saj për t’u bashkuar me rrugën e Llogorasë, jashtë zonave të banuara, pra mbi Dukat.

“Këtë bypass e kemi integruar dhe në fonde të tjera kështu që financimi për bypass-in e Vlorës është siguruar 100 %. Me garantimin e këtij by pass, infrastruktura rrugore e bregdetit jonian bëhet më e përshtatshme, ndaj dhe do të kalojë në Parlament. Projekti për këtë by pass është gati dhe është bërë nga studio shumë të mira dhe del edhe një rrugë tjetër, e cila shpëton ngushticën e madhe që krijohet në zonën Vlorë –Rradhimë, ngushtice e cila pa këtë by pass do të bëhej shumë problematike”, tha kryeministri.

Sipas tij turizmi në Vlorë po shkon drejt Rradhimës, Orikumit, Karaburunit duke e bërë zonën nga përtej Ujit të Ftohtë e deri në Orikum zonën të ndërtuar më mirë nga pikëpamja urbanistike.

Kryeministri tha se bypass-i nuk zgjidh përfundimisht trafikun në bashkinë e Vlorës, sepse bashkia është fuqizuar dhe dy projektet e saj, ai i shëtitores dhe projekti i Unazës janë tejet të domosdoshëm.

“Vlora e ka jetike Unazën. Ndërtuam rrugën Trans-Ballkanike, rrugë e përmasave, më të gjera në vend dhe që ka zgjidhur shumë punë për sa i përket trafikut, por nga ana tjetër përtej Kuz Baba-së me sa di unë ka një projekt dhe duhet të ulemi me bashkinë e Vlorës që ta shqyrtojmë se çfarë duhet të bëjmë. Qyteteve duhet t’u ndërtojmë unazat. Për sa i përket tunelit ishte shumë e domosdoshme, pavarësisht se ka dhe një rrugë tjetër, por ajo rrugë, e cila kalon sipër është një rrugë problematike dhe bëmë shumë mirë me tunelin, por tani duhet të shqyrtojmë Unazën, e cila në krahun tjetër çliron në mënyrë përfundimtare trafikun e atij qyteti, i cili gjatë verës ka rritje të fluksit turistik nga mbarë bota”, u shpreh kryeministri.

mit/NOA

KOMENTE