English

Censusi, INSTAT: Jemi 7.7% më pak se në vitin 2001

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- Popullsia e Shqipërisë gjatë dhjetë viteve të fundit ka pësuar rënie të ndjeshme, prej 7.7 për qind, për shkak të emigrimit dhe uljes së numrit të lindjeve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Lajmin e bëri publik drejtoresha e INSTAT-it Ines Nurja, gjatë prezantimit të rezultateve paraprake të Censusit të popullsisë dhe banesave.

Zonja Nurja bëri me dije se numri i popullsisë në Shqipëri në vitin 2011 është llogaritur në 2 milion e 831 mijë e 741 banorë.

“Krahasuar me vitin 2001, popullsia llogaritet 7.7 herë më e vogël. Shkak për këtë janë bërë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë”, bëri me dije drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja.

Nurja thekson se për herë të parë është rritur numri i popullsisë në zonat urbane me mbi 7 për qind, duke dhënë një panoramë të tillë, ku 53.75 % e popullsisë jetojnë në qytet dhe 46.3 % e popullsisë në fshat.

Gjatë regjistrimit të popullsisë sipas statistikave një numër i vogël prej 29 355 banorësh kanë refuzuar t’i përgjigjen Censusit të popullsisë dhe banesave.

Një fakt i rëndësishëm i vërejtur nga statistikat gjatë regjistrimit të popullsisë është rritja e numrit të meshkujve ndaj atyre të femrave, në një raport të tillë 114 meshkuj në 100 femra.

Sipas ekspertëve për të analizuar këtë fenomen të rritjes së numrit të meshkujve krahasuar me atë të femrave duhen parë arsyet që kanë çuar në këtë rritje të ndjeshme.

Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja bëri me dije se gjithsesi këto janë rezultatet paraprake dhe për një rezultat përfundimtar do të duhet një analizë më e gjerë.

Sipas INSTAT-it, janë regjistruar 1 075 881 familje shqiptare, ndërsa njësitë ekonomike të regjistruara janë 740 256.

Censusi, Berisha: Shqiptarët bënë kapërcimin e madh, rritet popullsia urbane

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi rezultatet e Censusit të popullsisë dhe banesave, duke e cilësuar atë shumë të suksesshëm dhe që dëshmoi kapërcimin e madh të ndodhur këto dhjetë vjet në Shqipëri, urbanizimin, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë mbledhjes së qeverisë që kishte për kryefjalë këtë rezultat të Censusit të popullsisë, Kryeministri deklaroi se ai u realizua në kushtet më optimale, dhe është i pari census modern i popullatës në vend.

E duke iu referuar të shkuarës kur Shqipëria ka qenë kryesisht një vend rural, shefi i qeverisë nënvizoi se tashmë rezultati i censusit dëshmoi se për herë të parë është rritur numri i popullsisë në zonat urbane duke dhënë një panoramë të tillë, ku 53.75 % e popullsisë jetojnë në qytet dhe 46.3 % e popullsisë në fshat.

“Për herë të parë në këtë Census në Shqipëri popullata e qyteteve mbizotëron nga ajo në zonat rurale. Për shumë arsye të njohura ne kemi qenë një vend kryesisht rural, ndonëse në qytetet tona llamburitnin dritat kur të tjerët ishin akullnajë. Ne mbetëm të tillë për t’u vetëmbrojtur, për të ekzistuar, se nuk ka patur tokë më të lakmuar se e jona. Andaj ne bëmë gjithçka që të ruajmë ekzistencën. Por lëvizja e madhe drejt urbanizimit të këtyre viteve është oguri më i bardhë i këtyre viteve për kombin. Kombet urbane janë ata që ndërtojnë lirinë, prosperitetin” deklaroi Kryeministri. Sipas tij rezultatet e censusit i japin përgjigje të tërë atyre që kanë qenë agresivë në të gjitha lëvizjet e tyre kundërshtuese për këtë urbanizim.

Sipas Kryeministrit Censusi i popullsisë dhe banesave faktoi edhe një tjetër zhvillim, pasionin e shqiptarëve për të ndërtuar një shtëpi të mirë.

“Pasioni i shqiptarëve për të patur një shtëpi të mirë është një nga më të bukurat. Natyrisht çdo lëvizje e tillë e madhe demografike, e pashmangshme krijon problemet e veta, por urbanizimi superon të gjitha pasojat. Ky është zhvillimi më pozitiv. Rreth 38 për qind e shqiptarëve kanë ndërtuar banesa”, tha Kryeministri.

Ndërkohë, zoti Berisha foli edhe për numrin e atyre që refuzuan t’i përgjigjen Censusit, duke nënvizuar se kjo pjesë përbën deviacionin më minimal në epokën tonë.

“1.04 për qind nuk morën pjesë në regjistrim, që është deviacioni më minimal në regjistrim në epokën tonë, por është evidentuar çdo refuzim. E theksoj këtë sepse është trokitur në çdo derë, dhe shmangia është më minimalja se në çdo vend tjetër”, nënvizoi Kryeministri.

Rama: Censusi tregoi braktisjen e vendit

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit të Partisë Socialiste, shefi i opozitës Edi Rama tha se sot Shqipëria është e papunë. Ai konstatoi se Shqipëria është në falimentim ekonomik e demokratik. Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al ai theksoi se, “Të dhënat e censusit treguan se sa shumë shqiptarë kanë lënë vendin. Shifrat e reja të popullsisë kërkojnë lexim të drejtë edhe të demografisë, dhe rënia e numrit të shqiptarëve që jetojnë në atdhe kërkon punë të thelluar. E ne detajohemi në këtë pikë në programin e ri të punësimit. Grupi i punësimit do garantojë komunikimin me të gjithë të papunët dhe për ti nxjerrë nga rruga e papunësisë na duhet ndihma e tyre natyrisht edhe mbështetja e tyre, pasi aktualisht shpenzimet e bëra nga qeveria janë më të mëdha se shërbimet e ofruara”.

AK: INSTAT mashtroi në dëm të shqiptarëve

Pas shpalljes së rezultateve paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave nga INSTAT-i, i cili bëri publik faktin se popullsia shqiptare është ulur me 7.7 për qind dhjetë vitet e fundit, ka reaguar edhe Aleanca Kuq e Zi, e cila akuzon INSTAT-in se i ka nxjerrë shqiptarët popullsinë më të vogël në Ballkan, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas AK-së me këtë rezultat INSTAT ka përmbushur orekset e Athinës dhe Beogradit, duke e nxjerrë popullsinë shqiptare më të voglën në Ballkan.

Ndërkohë, sipas përllogaritjeve të AK-së kombi shqiptar llogaritet mbi 10 milionë banorë.

Aleanca Kuq e Zi akuzon Institutin e Statistikave se mashtroi me rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë në dëm të interesave të popullit shqiptar.

INSTAT-i publikoi sot rezultatet paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave ku rezultoi se popullsia e Shqipërisë gjatë dhjetë viteve të fundit ka pësuar rënie të ndjeshme, prej 7.7 për qind, për shkak të emigrimit dhe uljes së numrit të lindjeve.

Drejtoresha e INSTAT-it Ines Nurja, gjatë prezantimit të rezultateve paraprake të Censusit të popullsisë dhe banesave tha se numri i popullsisë në Shqipëri në vitin 2011 është llogaritur në 2 milion e 831 mijë e 741 banorë.

Sipas saj, krahasuar me vitin 2001, popullsia llogaritet 7.7 për qind më e vogël, duke preçizuar se shkak për këtë ulje të rritjes së popullsisë janë bërë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë.

a.y/NOA

KOMENTE