English

Dëbora bllokon veriun e vendit, probleme në komunat e thella

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA Update - Shumë komuna në veri të vendit janë të bllokuara si pasojë e reshjeve të dëborës, të rëna me intensitet gjatë natës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Më problematike situata paraqitet në Malësinë e Madhe, Peshkopi e Kukës, ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 70 cm.

Si pasojë, mjaft fshatra kanë mbetur të izoluara, ndërsa raportohet të ketë probleme në furnizimin me energjinë elektrike të banorëve.

Tërësisht e bllokuar është komuna e Vermoshit, ndërsa me vështirësi të mëdha kalohet në Malësinë e Dukagjinit.

Po ashtu dhjetra komuna në qarkun e Dibrës dhe Kukësit janë të mbuluara nga dëbora.

Në mjaft akse rrugore kalimi i automjeteve bëhet me zinxhirë si pasojë edhe e ngricave të krijuara gjatë natës.

Ulja e menjëhershme e temperaturave kanë krijuar shtresa akulli në mjaft segmente, që të çojnë drejt komunave të thella.

Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk bëhet fjalë për nevoja emergjente.

Sipas Shërbimit të Emergjencave Civile, në rast të bllokimit të rrugëve, izolimit të komunave, rrëshqitjeve të dherave, rritjes së nivelit të ujrave në rezervuare si dhe furnizimin me ujë të pijshëm, energji elektrike si dhe ilaçe për spitalet janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

mit/NOA

KOMENTE