Në hierarkinë e të vërtetave kombëtare, gjuha është pa diskutim e vërteta kombëtare më e madhe e një kombi. Ndaj dhe gjuha shqipe meriton një përpjekje shumë të madhe për ta vendosur atë në piedestalin e të vërtetave të mëdha. Ajo është unike në familjen e saj. Aq sa i detyrojmë gjakut ekzistencën tonë si komb, po kaq i detyrojmë gjuhës ekzistencën tonë si komb
Nga Prof. Dr. Sali Berisha
Në tërë historinë tonë, nëse e vështron në rrafshin filozofik, kombi ynë ka pasur një problem, më madhorin. Ky problem ka qenë raporti i tij me të vërtetën. Ne duhet t’i shohim gjërat direkt, me sensin më të madh të realizmit. Raporti i kombit me të vërtetën është i njëjtë me raportin e individit me të vërtetën. Një komb i lirë e ndërton këtë raport gjithnjë e më të përafërt, gjithnjë e më të saktë me të vërtetën. Një komb i shtypur, një individ i shtypur, nuk e ndërton dot atë. E vërteta mbetet një iluzion për të. Po të vështroni historinë tonë të 100 apo 130 viteve të fundit, kombi ynë asgjë nuk ka paguar më shtrenjtë sesa këtë raport. Por me sakrifica të jashtëzakonshme, me një çmim shumë të shtrenjte, lavdi Zotit, ai sot vjen i lirë. Është i lirë në Shqipëri, është i lirë në Kosovë, është i lirë kudo.
Në hierarkinë e të vërtetave kombëtare, gjuha është pa diskutim e vërteta kombëtare më e madhe e një kombi. Ndaj dhe gjuha shqipe meriton një përpjekje shumë të madhe për ta vendosur atë në piedestalin e të vërtetave të mëdha. Ajo është unike në familjen e saj. Aq sa i detyrojmë gjakut ekzistencën tonë si komb, po kaq i detyrojmë gjuhës ekzistencën tonë si komb. Në të gjithë rrugën e saj, kjo njohu vështirësi të mëdha dhe nuk mund ta mohojmë. Vështirësia e saj më e madhe ishte se alfabeti ynë është nga të fundit, megjithatë u themelua në germat e djepit të saj, u themelua në germat latine. Nuk them se djepi ynë është latin, jo, por ato do ishin germat që i shkonin më shumë gjuhës.
Gjuha nuk mund të injorojë faktin se për arsye të ndryshme njohu vështirësitë e saj. Ishin të mëdhenj ata burra, të cilët me një përballje shkencore u përpoqën ta zhvillonin dhe konsolidonin atë në një hulli pothuajse natyrale. Por përpjekja për ta zhveshur gjuhën nga ajo pjesë e saj që ishte shkruar dhe ligjëruar në shekuj, që ishte liturgjia, ishte një përpjekje e bazuar tërësisht në doktrinën staliniste. Cila ishte doktrina marksiste për gjuhën? Ishte vepra e Josif Stalinit, e këtij paranojaku që e pretendonte veten gjeni në gjuhë. Këtu tek ne nuk ishin shkruar nga byroja politike vepra për gjuhën, por ju e dini më mirë se unë që ajo vepër citohej në çdo kohë. Ajo e kishte raportin me të vërtetën aq sa e kishte vepra e Enver Hoxhës për naftën, ku atij i thoshte mendja se e dinte se ku kishte naftë në Shqipëri dhe i varte njëri pas tjetrit inxhinierët e naftës. Gjuha duhet të çlirohet tërësisht nga këto ndikime. Janë të pamohueshme këto dhe unë kam besim të madh se ju, studiues të lirë dhe të përgjegjshëm, dashurues të gjuhës, do t’i bëni asaj të gjitha shërbimet që meriton dhe të ecim para, ta zhvillojmë, sepse çdo shqiptar ndihet krenar me gjuhën e vet.
***
Gjuha meriton dhe duhet të ketë vend qendror në të gjitha programet e shkollave tona. Një komb, asgjë nuk ka më të çmuar sesa gjuhën. Le të shkurtojmë në programet e doktrinave të tjera, le të mësojmë më pak për strontiumin apo manganin dhe t’i hapim të gjithë hapësirën gjuhës. Një shqiptar i qytetëruar është një shqiptar që duhet të flasë gjuhën e tij. Duhet ta mbrojmë gjuhën nga agresioni mediatik. A i vini re ju këto ekrane që e reduktojnë gjuhën në tridhjetë apo pesëdhjetë fjalë? Zoti ministër, gazetarët janë pa diskutim pjesë e çmuar e kësaj shoqërie, por kjo do të thotë që në fakultetin e tyre, vend qendror të ketë gjuha shqipe, sepse kur shqipja të marrë vendin qendror në fakultet, atëherë ata do të jenë të vetëdijshëm se sa shumë kanë në dorë ta mbrojnë e ta zhvillojnë atë.
Viktima e parë e një filozofie, apo më e lidhura me filozofinë, është historia. Nuk ka pasur ndonjë popull më fatkeq se ne në këtë aspekt. Unë që kam qenë një apasionant i saj, nuk arrita kurrë të njoh historinë e vendit tim, sepse ajo ishte e ndrydhur, ishte në bunker, ishte e deformuar. Dhe kjo ka qenë kështu, kudo për shqiptarët. Në Kosovë, ishte armiku përballë dhe, natyrisht, historia pastaj shkruhej siç mund të shkruhet ajo kur ke përballë pushtuesin, armikun. Por tani ne jemi të lirë. U gëzova shumë kur mësova se keni siguruar 450 mijë faqe dhe ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë juve të siguroni edhe 4 milion e gjysmë faqe, edhe 45 milionë faqe dhe çfarë të keni nevojë. Mbështetja për ju dhe për qendrën tuaj është një përparësi absolute për qeverinë. Le ta shndërrojmë këtë 100 vjetor të pavarësisë jo në një moment akuzash, le të lëmë akuzat ndaj njëri – tjetrit mënjanë dhe le të merremi me nxjerrjen në shesh të të vërtetave të mëdha. Ne i kemi ato. Pavarësisht se ne në histori kemi ngritjet dhe rëniet tona, por absolutisht ne kemi 1001 arsye për të qenë krenarë me disa nga momentet më kulmore të kësaj historie, të cilës ne i dedikojmë ekzistencën tonë.
A ka gjë më primitive se sa shqiptarët të mos dinë akoma se cili ishte kryetari i Lidhjes së Prizrenit, - kjo sepse duhet t’u thuhej ashtu siç donte diktatura - dhe në vend që të lartësohej Abdyl Frashëri bëhej e kundërta? Kjo fazë është kapërcyer tashmë, por unë po marr kohën kur mësoja historinë. Kjo nuk ekziston më dhe unë e kam të qartë këtë. Por a kishte një deformim të saj? Po, kishte!
Prandaj dhe ju keni një shans historik të madh, të jashtëzakonshëm, ta shkruani atë mbi bazën e të vërtetave tona kombëtare, ta interpretoni atë jashtë ideologjive pushtuese, se edhe komunizmi ishte ideologji pushtuese.
Ne duam që këtë 100 vjetor ta shndërrojmë në një proces të tërë të një vlerësimi objektiv të të gjithë udhës sonë, nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot. Ka gjë më mahnitëse për një komb se Lidhja e Prizrenit? Jo, nuk mund të ketë. Një komb që fjeti në një Perandori dhe softi i tij shkoi për shekuj në qeverisje, në ushtri e në pushtime të Perandorisë, u zgjua i bashkuar në një mrekulli të vërtetë shqiptare. Nuk ka trashëgimi më të madhe se kjo që kemi ne nga e shkuara. Nuk ka gjë që i bën shqiptarët më krenarë. Ideali i Prizrenit është ideal themelor për çdo shqiptar. Pavarësia gjithashtu, që erdhi kur të gjithë donin pothuaj të na zhduknin. Kjo është e vërteta. Ajo është nëna e të gjitha ngjarjeve të tjera të cilat rrodhën më pas. Lufta është një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Nuk mund të ketë asnjë ekuivok në qëndrimin tonë ndaj Luftës Nacional Çlirimtare. Jo dhe jo! Të vërtetat e saj qëndrojnë në gjakun e atyre që ranë për lirinë e vendit, në gjakun e atyre që renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë. Diktatura është denatyrimi i kombit. Si mund të mbrohet ajo, çfarë mund të thuash? Një student do t’i thoshte këto ditë një publicisti tek fliste për Enver Hoxhën se përse flet sot, në një kohë kur keni qarë kur ai vdiq? Kjo ishte shumë pyetje e madhe. Është fat i madh për ne që ai student nuk e kupton se përse qahej në atë kohë, - përse qajnë koreanët sot -, që nuk e kupton se si kjo diktaturë denatyron dinjitetin njerëzor.
Por sot jemi të lirë. Për sa i përket Kosovës, kombi është një, në histori, në kulturë, është një dhe vetëm një. Ai mund të jetë i ndarë në disa shtete dhe administrata, por shpirti i tij nuk ndahet kurrë dhe kjo është faktuar. Ne nuk kemi, nga koha e Skënderbeut deri në ditën e sotme, faqe më të ndritur në historinë tonë kombëtare, se pavarësinë e Kosovës. Pra le ta bëjmë këtë 100 vjetor një proces nderimi të madh për ata të cilëve ne u detyrojmë lirinë e sotme, të cilëve u detyrojmë këtë mundësi të madhe për të punuar me përkushtimin e madh, që të drejtojmë raportin tonë me të vërtetën, raport themelor për një komb të qytetëruar.