English

Goditet banda e trafikantëve, drogë me vlerë 300 mijë euro

Ankona, 21 dhjetor 2011, NOA- Policia e Ankonas në Itali arrestoi dy shqiptarë me iniciale E.T 26 vjeç dhe E.S 23 vjeç me origjinë nga Berati.

Akuza për ta erdhi për mbajtje dhe tregtim të lëndëve narkotike dhe konkretisht të kokainës pasi dyshohet se ata trafikonin sasinë e drogës në zona të ndryshme të Italisë ku kishin krijuar klientelë.

Dy të rinjve iu sekuestrua 3 kilogramë kokainë me vlerë 300 mijë euro ndërsa u denoncuan edhe 12 persona të tjerë.

Hetimet për ndalimin e tyre vijonin prej disa muajsh, ndërsa nga ana e policisë thuhet se trafiku i lëndëve narkotike vepronte në veri dhe qendër të Italisë.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, nga të dhënat e policisë thuhet se në korrik të vitit 2011 ishin arrestuar edhe tre shqiptarë të tjerë po nga Berati, me iniciale F.R 34 vjeç, A.C 37 vjeç dhe E.T 26 vjeç të cilëve iu gjet 50 gramë kokainë e pastër në bordin e një makine, çka shërbeu si sinjal për nisjen e hetimeve.

Një muaj më vonë policia gjeti rreth 2.5 kilogramë kokainë të fshehur në një ndërtesë të vjetër në një kodër afër Porto Sant’Elpidio dhe nga këtu u bë lidhja për dy arrestimet e fundit pasi u vëzhguan hyrje-daljet në objekt dhe origjina e vizitorëve.

Sakaq janë 12 personat e denoncuar por që janë ende të lirë, që të gjithë klientë të të ndaluarve ku më të shumtit burra mes të moshës nga 28-55 vjeç.

a.y/NOA

KOMENTE