Tiranë, 21 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Deputeti socialist Andis Harasani i cili prej disa ditësh ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siguron se edhe pse nuk ishte pjesëmarrës në votim, ai nuk do të ishte kurrsesi pro përjashtimit të z.Kastriot Islami.
“Mungesa ime sot në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste ka qenë me arsye! Nuk ndodhem në Shqipëri”.
Kurse shton: “Dhe megjithëse kam munguar, votoj dhe do të votoj kundër çdo lloj përjashtimi, aq më shumë të themeluesve të PS!”.
Sakaq në faqen e tij të rrjetit social Facebook z.Harasani ka publikuar mbrëmjen e sotme dhe një shkrim në formë letre të hapur me titull: Rama, ti të përjashton nga punët, jo nga Partia.
Më poshtë vijon letra e plotë që z.Andis Harasani i ka drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
I dashur kryetar
Po të shkruaj këtë letër me dhembje dhe jo me dilemën nëse duhet të ta nis apo jo. Ndoshta duhet të ta kisha nisur më parë, por edhe tani nuk prish punë. Për punë të mira është gjithmonë kohë e përshtatshme. Të uroj me gjithë shpirt që ta fitosh këtë garë si të vetmen rrugë për të mos ndodhur ndonjë gjë më e rëndë nesër. Uroj që të fitosh jo për atë çfarë ke bërë në këto katër vite, por sepse pasojat për një humbje, që larg qoftë, do të ishin shumë të rënda për moralin dhe besimin e PS-së se nëse do të arrinte të fitonte ndonjëherë. Kaq. Ndryshime në PS, si ato që mund të ndodhnin dhe duhej të kishin ndodhur mbas vitit 2009, nuk ka mundësi më që të ndodhin, cilido që të jetë rezultati.
Shumë kolegë dhe miq tanët të përbashkët që duan që të fitosh përsëri në Tiranë thonë se fajin për mosrealizimet e bashkisë e ka qeveria. Dhe kështu është. Qeveria ka pjesën e vet të fajit. Por ti dhe unë, i dashur mik, e dimë që është kështu është kjo bota jonë arkaike politike. Njëherë e një kohë, kryeministri dhe zëvendëskryeministri i këtij vendi ishin në garë se kush do të të jepte më shumë fonde. Mirë kanë bërë dhe ata atëherë.
Sot janë kohë të tjera. Ti vazhdon të jesh në pushtet, kurse në të gjithë jemi në opozitë. Ne i bllokojmë në parlament sa mundim, e kemi nisur me bilbila, e vazhduam me bojkot dhe jemi prapë në gjysmë bojkot. Ata na bllokojnë në bashki. Kënaqemi ne kur nuk u shkojnë atyre punët mirë, kënaqen ata kur na shkojnë neve punët keq. Keq i shkojnë punët të gjithëve në Shqipëri, pastaj. Si ekonomist që jam nga profesioni, kam mësuar në këto vite në politikë, se politika është si kontabiliteti. Shkon dhe vjen me llogari. Çfarë do të mbjellësh, do të korrësh. Dhe kur ndodh që viti të jetë i mbarë dhe të ketë të korra të shumta, eksperienca ka treguar që duhet ruajtur një sasi e prodhimit kur vitet që vijnë të jenë vite ters. Ndodh që nuk ka shi sa duhet, fara të jetë e keqe dhe plehu i përdorur i papërshtatshëm.
U bë shumë kohë që në mbledhjen e kryesisë së PS, bashkë me një koleg që atëherë e besoja shumë, kur na kërkoje që të mos shkonin në Parlament, u ngritëm dhe të thamë që ta lesh edhe ti bashkinë. Ta linin të gjithë socialistët dhe pastaj shkonim në zgjedhje të parakohshme. Na pe me dashuri se atëherë na dukej se na doje, na the se do ta mendoje...ndoshta po e mendon akoma, por nuk e bërë. Me siguri na ke dhënë të drejtë sa për të mbyllur mbledhjen.
Jam shumë i shqetësuar për këto zgjedhje, miku im. Me shqetësojnë për PS-në se jam akoma pjesë e atij grupi. Megjithatë nuk kuptoj shumë gjera që ndodhin në këto kohë. Nuk kuptoj se çfarë po ndodh kur shoh një drejtues të rëndësishëm të Ballit Kombëtar që mbron socializmin si ne.
Për këto shqetësime flas shpesh me miqtë e mi, megjithëse nuk e di sa miq i kam kur ende nuk më kanë uruar për djalin që më ka lindur. As ti, si mik i vjetër nuk më ke uruar. Miqtë tanë më thonë se kësaj radhe ja kanë mbledhur PD-së. Kanë marrë njerëzit më të egër që ka kjo parti dhe i kanë vënë të kandidojnë për PS-në zonat e egra të PD-së. Dhe këtë gjë e quajmë fitore dhe na bind se fitojmë. Nuk di pse një gjë e tillë më ngjan shumë me amnistinë fiskale që u shamë aq shumë në Parlament dhe që po e zbatojmë në këto zgjedhje. Po falim njerëz që nuk janë socialistë, që kanë punuar kundër socialistëve sepse kështu thonë ca miq tanët deputetë socialistë. Ca nga kandidatët tanë i njohin mirë këta miq sepse në 2009 ju kanë vjedhur votat. Sot kandidojnë për PS-në që e pakta të mos vjedhin më vota nga ne.
Nuk e di sesi duhet të ndjehen deputetët dhe militantët tanë sot kur dje, me ca nga kandidatët tanë janë përplasur edhe fizikisht. Do të votojnë për ta? Do ta mbrojnë votën e tyre? Çfarë mësimi merr në një rast të tillë socialisti i thjeshtë, ai militanti i bazës, që ndryshe nga ne të dy dhe shumë të tjerë, vetëm i kanë dhënë Ps.së dhe nuk i kanë marrë asgjë. Që i kemi trajtuar si tifozë futbolli, që ju kërkojnë të brohorasin për ne, të zihen për ne, të gëzohen dhe të hidhërohen për ne dhe në fund, ju sjellim në ekip lojtarë kundërshtarë?
Hajde se i bindëm ata dhe këta kandidatë të rinj fitojnë në zgjedhje. Këtu kemi përsëri problem. A kemi ndonjë detyrim nesër ndaj tyre? A kemi siguri sesi ata do ta menaxhojnë komunën dhe bashkinë? A ke besim se ata do të vijnë në Tiranë për të protestuar po t´ja kërkosh ti, miku im?
Kësaj rradhe nuk po bëj fushatë. Lexoj gjithë gazetat dhe shoh të gjitha emisionet televizive që bëjnë debat pa kandidatët rivalë. Askush nuk më ka kërkuar që të bëj fushatë. Një miku yt nga Ballkani, të tha njëherë se kur të kesh probleme me njerëzit, mos bëj përjashtime nga partia, por përjashtoi nga punët e partisë. Këtë këshillë që të kanë dhënë, po e zbaton me sukses. Jam në parti, por më keni përjashtuar nga punët e partisë. Ne të gjithë të kemi lënë që ta ndjekësh këtë këshillë dhe ta realizosh në praktikë. Por kjo nuk më pengon që të jem shumë i çuditur që ti, miku im, je pajtuar me këtë mentalitet kaq ballkanik. Shumë vjet më parë, kryeministri i asaj kohe të thirri që të vije në Tiranë pikërisht për të luftuar këtë mentalitet. Sot më vjen keq, por ta shoh në çdo hap që hedh në politikë.
Ndoshta kjo është arsyeja që më parë, i pëlqeje të gjithëve kur dilje në televizor. Pëlqenin tek ty mënyrën si flisje, si lëvizje duart, si flisje për të ardhmen dhe për gjërat moderne që i mungonin politikës në Shqipëri. Sot, vështirë se të kupton kush.
Dje ishe plot me ide. Edhe në katin e dytë të Ps.së, vizatove në dysheme me shigjeta drejtimin e fabrikës së ideve. Tani aty kanë humbur ngjyrat. Shpesh idetë e tua atëherë më dukeshin fasadë, por ne këtë punë kemi në politikë dhe ato ide gjeneronin vota. Sot nuk e di.
Po i kthehem dhe njëherë fushatës. Në 2005 fitova mandatin e deputetit në Tiranë në një zonë të vështirë, por bëra shumë miq e shokë që besuan dhe luftuan bashkë me mua për fitore. Në 2009 më çove në Kavajë dhe Rrogozhinë sepse ishin zona të vështira. Luftova prapë. Bashkë me një kolegun time, u zura edhe me karrige që të mbroja çdo votë. Sot ti nuk e kujton atë kohë. Nga të gjithë deputetët që ke në grup, jam i vetmi që nuk më ke thënë një gjysmë fjale e të më pyesësh se çfarë mendoj për këtë fushatë. Kjo nuk ka shumë rëndësi se është një çështje mes nesh. Por të vesh kandidat në Gosë të Kavajës një individ që na ka vjedhur votat në 2009, është shumë. Kjo është shumë e rëndë. Nuk e di cili është morali i kësaj historie. Megjithatë, kush pyet për moral nëse fiton. Ky është problemi. Ka shumë njerëz që mendojnë se zgjidhja që dikush merr për veten, në të gjitha rastet është zgjidhja më e mirë për interesin e tyre. Ose të paktën,, zgjidhja më e mirë se ajo që ndonjë tjetër do të kishte marrë në vend të tyre. Unë nuk mendoj kështu. Mendoj ndryshe. Po të reflektohet me kujdes, kështu do të mendonte kushdo. Është si në një lojë shahu kur një fillestar luan me një mjeshtër të kësaj loje. Fillestari është gjithmonë ai që do të humbasë, për shkak të zgjedhjeve që bën për të përdorur figurat e tij. Ato zgjedhje do të ishin më të mira nëse fillestari do të pranonte të dëgjonte dhe të merrte ndihmë dhe nga lojtarë të tjerë që e njohin lojën si ai ose më mirë se ai.