"Për rreth pesë dekada ai e shndërroi vendin e tij në një shtet-fortesë mjeran me një ushtri aktive të përbërë nga 1.2 milionë vetë, në një vend me 20 milionë banorë. Kombinimi i barbarizmit, izolimit dhe ekscentricitetit ishte një makth oruellian, krahasuar me të cilin Shqipëria e Enver Hoxhës dukej si bastion i iluminizmit liberal"...
The Telegraf
I biri i liderit të Koresë së Veriut, të vetëquajtur “Udhëheqësi i Madh” Kim il Sung, Kim Jong-il (i njohur si “Udhëheqësi i dashur”), u bë sunduesi i parë i një vendi komunist që e merrte pushtetin nëpërmjet trashëgimisë-pas vdekjes së t’et në korrik 1994. Një figurë topolake, jotërheqëse, me flokë të fryrë dhe këpucë me taka, fillimisht u mendua se ai nuk i kishte dredhitë dhe stilin populist të Kim të vjetrit.
Të shumtët parashikuan se sundimi i tij do të ishte jetëshkurtër. Dukej se atij i mungonte mbështetja, jo vetëm në ushtrinë aq të rëndësishme të Koresë së Veriut, por edhe në rrethin familjar. Gruaja e dytë e Kim il Sung-ut, Kim Song Ae, nuk kishte shkuar kurrë mirë me të birin e adoptuar dhe thuhet se po u mëshonte pretendimeve të të birit të saj Kim Pyong-il.
Kim il Sung e kontrolloi pushtetin nëpërmjet juche-një filozofi e bazuar në represion ekscentrik stalinist, një kult personaliteti mbisundues, izolim total nga bota e jashtme dhe një armiqësi paranojake ndaj Koresë së Jugut dhe aleatëve të saj kapitalistë. Për rreth pesë dekada ai e shndërroi vendin e tij në një shtet-fortesë mjeran me një ushtri aktive të përbërë nga 1.2 milionë vetë, në një vend me 20 milionë banorë. Kombinimi i barbarizmit, izolimit dhe ekscentricitetit ishte një makth oruellian, krahasuar me të cilin Shqipëria e Enver Hoxhës dukej si bastion i iluminizmit liberal.
Kur i ati ishte në pushtet, Kim Jong-il e ktheu në art të qenit i padukshëm në vendin e tij. E vetmja herë kur ai u pa të fliste në publik ishte në prill të vitit 1992, kur gjatë një parade ushtarake u dëgjua tek bërtiti “Lavdi oficerëve dhe ushtarëve të popullit korean!”. Megjithatë, pas ardhjes së tij në pushtet u bë e qartë se molla nën mollë bie-i paparashikueshëm, dredharak dhe këmbëngulës deri në pamëshirë për ta mbajtur pushtetin me çdo mjet. “Mos prisni ndryshime nga unë”, tha ai pas vdekjes së Udhëheqësit të Madh. Ai e mbante fjalën.
Zyrtarisht Kim Jong-il u lind në vitin 1941 në shpatinat e malit Paektu, në kufirin me Kinën-vendlindja mitike e koreanëve dhe vendi nga ku thuhet se Kim il Sung filloi lëvizjen e tij guerilase. Në kërkim të mrekullive me anë të të cilave kërkohej shenjtërimi i të riut Jong-il, hagjiografët shtetërorë huazuan me tepri nga traditat e krishtera. Vetëm pak para lindjes së Kimit të ri, sipas të dhënave zyrtare, një zog zbriti nga qielli për të lajmëruar ardhjen e “gjeneralit të jashtëzakonshëm që do të sundojë botën”. Një yll rrezatues ndriçoi natën e lindje së Jong-il, megjithëse në vend të një grazhdi ai u lind në një kabinë malore. Kjo strehë e përvuajtur ekziston edhe sot e kësaj dite-siç edhe duhet, sepse, në fakt u ndërtua në vitin 1986.
Në të vërtetë, Kim u lind më 16 shkurt 1942 në afërsi të Khabarovskit në Siberi, ku i ati ishte arratisur për t’u shpëtuar japonezëve që asokohe kishin pushtuar Korenë. Një fotografi e hershme tregon Jurin, siç e kishin pagëzuar rusët, një djalë të vogël topolak në uniformë kadeti të marinës sovjetike.
I largët me politikën e madhe, thuhet se Kim Jong-il e gjente kënaqësinë te havjari, konjaku Hennessy dhe trupa e tij me 2000 valltare, të rekrutuara nga shkollat e mesme të vendit, për të performuar ‘në grupe argëtimi’ në një prej 32 vilave e pallateve të çuditshme të diktatorit, para se të dilnin në pension në moshën 25-vjeçare. Çdo ‘grup argëtimi’ përbëhej nga tri skuadra: një ‘skuadër qejfi’ e cila performonte shërbime seksuale; një ‘skuadër gëzimi’ e cila bënte masazhe; dhe një ‘skuadër vallëzimi dhe këndimi’. Vizitorët gostiteshin me striptiza të koreografuara, megjithëse vetëm Kim mund t’i përdorte ato për shërbime të tjera.
Por veprimtaritë e orëve të vona të Kimit nuk ishin të gjitha argëtuese. Ai mbahej si një mikromenaxher pothuajse fanatik i vendit të tij. Bënte telefonata e dërgonte e priste fakse në të gjitha orët dhe i binte vendit anembanë pa u ligështuar, duke dhënë këshilla që nuk mund të anashkaloheshin. Gjatë një vizite në një fabrikë, ku asnjë prej punëtorëve nuk kishte pallto për të veshur, ai hoqi edhe të vetën para se të dilte në fotografi me ta. Gjesti i Udhëheqësit të Dashur thuhet se i preku thellë proletarët.
Thuhert se Kim ishte baba i të paktën katër fëmijëve me tri gra të ndryshme, përveç lidhjeve të panumërta me aktore, valltare dhe bionde të importuara. Gruaja zyrtare e tij, Kim Young-sook, lindi vajzë në vitin 1974, por as ajo dhe as dashnorja e tij kryesore Song Hie-rim, një ish-aktore filmash dhe nëna e djalit të tij të madh Kim Jong-Nam, nuk hynin në mjedisin ku rrotullohej pushteti i Koresë së Veriut.
Kim Jong Il vdiq të shtunën nga një atak në zemër. Në momentin e vdekjes Kim Jong Il ishte në një tren, gjatë udhëtimit jashtë kryeqytetit Phenian. Agjencitë shtetërore të lajmeve menjëherë bënë të ditur se shkaku i vdekjes ishte mbingarkesa dhe rraskapitja fizike dhe shpirtërore e Presidentit në angazhimet e tij për të mirën e popullit.
NOA