English

Marko Bello: Diplomacia shqiptare, tërësisht klienteliste

Tiranë, 21 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Marko Bello, një nga deputetët e Partisë Socialiste, beson se diplomacia shqiptare është në kushte tërësisht klienteliste. Këto komente z.Bello i bëri gjatë konferencës së sotme të drejtuar nga Edi Rama ku u shpalos programi i ri i partisë kryesore të opozitës.

“Shumë të rinj e të reja të diplomuar jashtë vendit, do jetë strategji për të thithur vlerat mes tyre. Ministria e Jashtme është kthyer në një qoshe ku rehatohen fëmijë e farefis duke ia zbehur rëndësinë kombëtare që ka ky institucion i rëndësishëm”, - tha z.Bello.

Kurse bëri thirrje që tani duhet “t’ rikthejmë shërbimit diplomatik dinjitetin”.

“Lumë” diskutimesh

Në konferencën e sotme kanë folur dhe emra të tjerë të PS.

Fidel Ylli u ndal tek sporti kur tha: “Ka 20 vjet që politikat për sportin kanë qenë nga më mjeranet nga çdo pushtet, qoftë nga të majtët, qoftë edhe nga kjo qeveri totalisht e papërgjegjshme që dita ditës shkatërron terrenet sportive dhe që në legjislaturën e kaluar në mes të natës ka ndërruar ligjin për sportin. Duhet të bëjmë një reformë radikale në sport.

Artan Lame u kthye në kohë teksa aktualizoi kritikat e tij: “Fakti që PS detyrohet 150 vjet pas Rilindjes së parë Shqiptare tregon që ose shteti shqiptar ka humbur tmerrësisht kohë ose jetojmë në një ambient politik të kalbëzuar që e ka domosdoshmëri përdorimin e këtij termi. Logjika e këtij termi ka të bëjë me atë që shteti nuk e ka arritur asnjëherë. Asnjëherë shteti shqiptar nuk ka arritur të bëhet i nevojshëm për shqiptarët. Për fat të keq shteti shqiptar është parazitar, është përfitues, është strehë për të gjithë komoditetet personale, por jo nevojë e qytetarëve”.

Kurse ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Eduard Shalsi tha: Plani i Përgjithshëm Kombëtar nuk është gjë tjetër veçse një sintezë e gjithë grupeve të punës. Është detyrë e këtij grupi që të caktojë prioritet mbi bazën e sfidave. Në finale do kemi një raport, një marrëdhënie që shqiptarët do ndërtojnë me vendin e tyre dhe me shtetin. Dimë sëmundjet e vendit kemi diagnozën dhe do përfshijmë sa më shumë njerëz për një produkt sa më të plotë”.

a.y/NOA

KOMENTE