English

Moisiu: Nano ka kontribut në demokraci, por s'ka pse pretendon për President

"Fatos Nano disa herë ka dhënë shembullin pozitiv për zhvillimet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të pretendojë në vazhdimësi për pozicione drejtuese të politikës".

Kështu vlerëson ish-Presidenti Alfred Moisiu lidhur me kandidaturën e z.Fatos Nano për të qenë kreu i ri i shtetit në zgjedhjet e vitit 2012 kur përfundon mandati i Bamir Topit, pasardhës i Alfred Moisiut.

një intervistë për gazetën Tema, z.Moisiu thotë se Fatos Nano ka kontributet e tij të pamohueshme në zhvillimet demokratike të vendit dhe të Partisë Socialiste dhe shton: "Është politikani që ka demonstruar në praktikë se dorëheqja është një model demokratik, kur duhet mbajtur përgjegjësi për vendimet dhe veprimet politike. Pra disa herë ka dhënë shembullin pozitiv për zhvillimet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të pretendojë në vazhdimësi për pozicione drejtuese të politikës. Megjithatë është e drejta e tij të aplikojë. Sigurisht përvoja politike nuk i mungon, por nuk duhet harruar se në karrierën e tij ka pasur dështime që vendit i kanë kushtuar".

Ndiqni më poshtë intervistën e plotë:

“Fondacioni Moisiu” organizoi një konferencë për ndryshimet në Kushtetutë, çfarë opinioni u krijua nga kjo konferencë dhe a prisni që ky opinion i ekspertëve të fushës të ketë impakt tek politika?

Jo, konferenca e organizuar nuk iu kushtua ndryshimeve në Kushtetutë, por kishte si qëllim kryesor që të bëhej një reflektim i përgjithshëm për 13 vitet, kohë nga hartimi i Kushtetutës së miratuar në referendumin e vitit 1998. Pikësynimi ynë ishte ballafaqimi i saj me realitetin aktual në vendin tonë si dhe sfidat e ardhshme kushtetuese ligjore. Pra, më konkretisht paraqitëm publikisht mendimet tona sesi është trajtuar dhe sa është respektuar aktualisht Kushtetuta. Duhet thënë se Kushtetuta e vitit 1998 me të drejtë është konsideruar si një nga Kushtetutat më të mira të vendeve të reja demokratike. Por realisht ajo është trajtuar më shumë si një mburojë e përçudnimit të politikës shtetformuese shqiptare gjatë këtyre 13 viteve. Pjesëmarrës aktiv në këtë konferencë ishin nga zërat më të njohur të ekspertëve shqiptarë dhe të huaj për problemet kushtetuese dhe ligjore. Në të u trajtua gjendja reale e zbatimit të Kushtetutës, përsa i përket problemeve kyçe në një vend demokratik, sikurse jemi edhe ne. Mendimet dhe diskutimet u përqendruan sidomos në ndarjen dhe balancën midis pushteteve si dhe ruajtja reale e saj. Në respektimin e institucionit të Presidentit, në rritjen dhe rolin e vërtetë që duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë në përformancën kushtetuese-ligjore. Në Konferencë u ngrit shqetësimi për zgjedhjen e Presidentit, u dhanë mendime se nisur nga përvoja negative e deritanishme do të ishte më racionale zgjedhja e tij nga populli. Vëmendje ju kushtua rolit dhe funksionimit të prokurorisë në vendin tonë. Po kështu në Konferencë u fol edhe për rolin vendimtar të drejtësisë kushtetuese, arritjet dhe sfidat në procesin e reformimit të Pushtetit Gjyqësor sipas standardeve perëndimore, si dhe mbi përsosjen e administrimit zgjedhor.

Kurse përsa i përket pyetjes tuaj për impaktin, do të thosha se trishtohem kur shikoj politikanët tanë që, përsa i përket zhvillimeve të ndryshme dhe në radhë të parë atyre kushtetueso-ligjore, e konsiderojnë veten e tyre specialistë për gjithçka, tamam sikurse ndodh në vendet diktatoriale. Të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjeve, zanafillën e tyre e kanë tek mungesa e kulturës ligjore e politikanëve dhe tek servilizmi i disa ekspertëve ligjore që kur u kërkohet mendimi si specialist, më shumë përpiqen të gjejnë hapësira ligjore sesi mund të mbështetet dëshira e shefit dhe jo si të ruhet e të zbatohet Kushtetuta dhe ligjet. Është për të ardhur keq sepse tek ne ende mungon kultura e vlerësimit të shoqërisë civile, për pasojë mendimet që paraqiten prej saj as që merren në konsideratë. Kështu politika i atribuon të drejtën vetes për të bërë gjithçka, pavarësisht se çfarë mendojnë shtetasit dhe inteligjenca. Eksperti i njohur anglez, Profesor Vernon Bogdanor, i cili dërgoi për konferencën një shkrim të posaçëm, duke folur për shoqërinë civile thotë se: “Në çdo demokraci ekziston nevoja dhe vendi për një element të tretë përveç qeverisjes efektive dhe përfaqësuese. Ky element i tretë është rëndësia e mendimit të informuar dhe ekspert të opinionit publik për politik-bërjen”. Fenomeni i nënvleftësimit të mendimit që jep shoqëria civile tek ne ndodh jo vetëm për ta dekurajuar por edhe për të dhënë mesazhin se vetëm politikanët kanë të drejtë të vendosin për gjithçka. Pra me këtë desha të them se tek ne ende duhet shumë punë për të arritur në vlerësimin e shoqërisë civile si pjesë e rëndësishme dhe shumë e domosdoshme në zhvillimin e shëndoshë demokratik. Megjithatë ne nuk tërhiqemi edhe në këto kushte do vazhdojmë punën tonë si qytetarë të këtij vendi.

Pse ndryshime në Kushtetutë sërish, aq shpejt pas ndryshimeve të vitit 2008? A ekziston frika se ligji themeltar i vendit të kthehet në një ligj të zakonshëm të cilit mund ti bësh arnime sa herë shihet e mundur?

Pikërisht ky do të ishte një rrezik i madh për çdo vend dhe jo më për një demokraci të brishtë si kjo e jona. Është konsideruar nga të gjithë, bile edhe nga një pjesë e atyre që ranë dakord me këto ndryshime të vitit 2008, që ishte një gabim ajo që ndodhi. Kushtetuta nuk është tabu, por çdo ndryshim i saj duhet peshuar mirë dhe duhet diskutuar gjerësisht, nuk mund të bëhen ndryshime të rëndësishme dhe rrënjësore brenda natës, vetëm duke u nisur nga disa llogari të veçanta politike. Kushtetuta është një kontratë midis popullit dhe politikës, dhe kjo e fundit nuk mund të ketë të drejtë të bëjë në të ndryshime pa u konsultuar me sovranin, sikurse disa politikanë kanë dëshirë ta quajnë, kur i duhet të ledhatojnë popullin e tyre. Pra, në Konferencë u shfaq fuqishëm mendimi se me Kushtetutën nuk duhet luajtur, përkundrazi shqetësimi është sesi Kushtetuta dhe ligjet të ndikojnë në forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të pavarura kushtetuese. Kjo edhe për faktin, që palët politike po ecin në drejtim të kundërt, në kontrollin politik ose balancimin politik të tyre. E vërejtur si një tendencë shumë e rrezikshme për çdo vend demokratik aq më tepër për ne që kemi vetëm 21 vjet demokraci. Mendimet e shfaqura në konferencë kishin për qëllim sesi mund të rregullohen defektet e konstatuara, pasi nuk mjafton të konsiderohet e gabuar diçka që ndodh, por duhet riparuar.

Së fundmi kemi një marrëveshje mes dy krahëve të politikës për disa reforma dhe ligje. Si e shihni këtë marrëveshje, sa e dobishme do të jetë sipas jush?

Çdo marrëveshje në politikë, kur ajo synon në përmirësimin e ambientit politik dhe bashkimin e përpjekjeve për të rregulluar situatën, është e mirëpritur dhe e dobishme. Sa do t’i rezistojë kohës kjo është për t’u parë. Shpresojmë që këtë radhë të ketë arritur diçka në ndërgjegjen e politikanëve shqiptarë, që me mënyrat si është vepruar deri tani nuk mund të vazhdohet më tej. Ata duhet të ndërgjegjësohen, që për këtë stërzgjatje periudhe tranzicioni dhe dështim në politikën e integrimit, përgjegjësinë kryesore e kanë ata dhe vetëm ata. Po e kanë kuptuar këtë, kjo do të jetë jo vetëm një fitore por edhe një siguri se gjërat do të ndryshojnë për mirë.

Zoti President, gjatë kohës që ju qëndruat në detyrën e numrit një të shtetit patët marrëdhënie me ulje-ngritje me të dy krahët e politikës, gjë që nga ju u komentua si pavarësi e institucionit të presidentit. Nëse do të ishit sot president, në klimën politike të dy viteve të fundit çfarë do të bënit?

Sesi janë zhvilluar ngjarjet në kohën e mandatit tim presidencial dhe sesi e kam komentuar ato, do t’u rekomandoja të lexonit librin tim “Midis Nanos dhe Berishës”. Aty janë përshkruar konkretisht veprimet dhe mendimet për situatat e asaj kohe. Ndaj dhe përgjigjen për pyetjen tuaj hipotetike, se çfarë mund të bëja në kushtet e sotme, do ta gjeni të plotë në atë libër.

Përveçse një president “mbi palët”, për ju është krijuar dhe imazhi i presidentit që i thotë gjërat troç. Cili do të ishte qëndrimi juaj ndaj sjelljes dhe deklaratave të Sali Berishës dhe Edi Ramës, ndoshta dhe Ina Ramës, natën e 21 janarit dhe pas kësaj nate?

Ju faleminderit për komplimentin. Gjërat i kam thënë jo vetëm troç, por edhe mbështetur në kushtetutë, ligje, në interesat e demokracisë, vendit dhe të popullit tim, për të cilin kam adhurim maksimal. Në intervistat që kam dhënë në median e shkruar dhe atë vizive, jam shprehur si për 21 janarin ashtu edhe për problemet e tjera që pyesni. Gjithmonë i jam përmbajtur mendimit që duhet vepruar sipas ligjeve dhe kushtetutës. Është e domosdoshme të shkëputemi nga praktikat e deritanishme dhe të veprohet sipas standardeve të një shteti ligjor europian. Për çdo ngjarje ka përgjegjës të cilët duhet të përgjigjen para ligjit dhe drejtësisë. Për këtë duhet luftuar fort, si media ashtu edhe shoqëria civile. Kjo situatë nuk mund rregullohet vetvetiu.

Gjithashtu, do ishte me shumë interes të ndanit me ne mendimin tuaj për një nga marrëveshjet më të debatuara që ka firmosur kjo qeveri, atë me Greqinë për kufijtë detarë që u hodh poshtë nga Kushtetuesja….

Mendimi im është i njohur. Ajo marrëveshje është trajtuar nga nëpunës qeveritarë të papërgatitur ose servilë për të bërë atë që nuk mund të bëhej. Jo vetëm kaq, por ajo marrëveshje ishte në kundërshtim të plotë me interesat tona kombëtare. Pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja që Gjykata jonë Kushtetuese në mënyrë unanime e hodhi poshtë atë dokument. Shpresoj që gjëra të tilla të mos përsëriten më. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj kolonelin në rezervë Myslim Pashaj, i cili me argumente shkencore, ligjore, mbështetur në situatën reale të kufijve detarë, me kurajo civile dhe qytetare e mbrojti argumentin e kundërt të asaj marrëveshje. Ai rast tregon se kur inteligjenca është vigjilente, kërkuese dhe kurajoze ndaj veprimeve të gabuara të politikës, mund të arrijë të ketë rezultat.

Zoti President, si janë marrëdhëniet tuaja aktuale me politikanët aktivë, që nga Zoti Berisha, Zoti Rama, drejtues të tjerë të partive, apo dhe pasardhësi juaj Bamir Topi? Si e shihni pozicionin e këtij të fundit në arenën politike të polarizuar së tepërmi dy vitet e fundit?

Unë gjithmonë nuk kam dashur të ngatërroj mendimet politike dhe ligjore me marrëdhëniet personale, as kur kam qenë President i vendit dhe as tani që jam në pension. Ky ka qenë lajtmotivi im udhërrëfyes në jetën time politike dhe shoqërore dhe mendoj se është më i drejti. Pra Kryeministrin e respektoj si kryetar i qeverisë, Ramën si kryetar i opozitës ndërsa Presidentin Topi si Kryetar i Shtetit. Nuk i quaj aspak të drejta sulmet ndaj Kryetarit të Shtetit dhe për këtë jam shprehur në vazhdimësi. Ato tregojnë mungesën e konceptit kushtetues të një shteti të vërtetë ligjor dhe predominancën e tendencave tribale tek ne. Ndarja e pushteteve është tepër e rëndësishme dhe duhet respektuar. Me këtë duhet të mësohemi si duhet, në se duam një demokraci europiane dhe synojmë me të vërtetë integrimin europian.

Së fundmi ka dalë sërish në skenë Fatos Nano duke ritheksuar dëshirën e tij për tu bërë president, çfarë mendoni për këtë kandidaturë, a ka ai mundësi reale për të marrë postin e kreut të shtetit, nëse po, si mund ta bëjë këtë?

Është herët për të dhënë mendime konkrete për Presidentin e Republikës, Bamir Topi është në detyrë. Përpara kemi shumë probleme për të zgjidhur, ndaj po merremi me një çështje që pret. Fatos Nano ka kontributet e tij të pamohueshme në zhvillimet demokratike të vendit dhe të Partisë Socialiste. Është politikani që ka demonstruar në praktikë se dorëheqja është një model demokratik, kur duhet mbajtur përgjegjësi për vendimet dhe veprimet politike. Pra disa herë ka dhënë shembullin pozitiv për zhvillimet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të pretendojë në vazhdimësi për pozicione drejtuese të politikës. Megjithatë është e drejta e tij të aplikojë. Sigurisht përvoja politike nuk i mungon, por nuk duhet harruar se në karrierën e tij ka pasur dështime që vendit i kanë kushtuar.

KOMENTE