"Me përjashtimin e z. Islami, kursi i ri politik i z. Rama, kursi i ndryshimit dhe i përgatitjes së PS-së dhe Ramës për betejën e tretë dhe finale në karrierën e tij për të ardhur në pushtet, kanë pësuar një ndalesë"...
Nga Henri Çili
Duhet pranuar se në çdo kontekst tjetër, në një situatë, le të themi jashtë atmosferës aktuale, normalisht, do të ishte e drejta e grupit parlamentar të një partie politike të caktuar të gjykojë mbi sjelljen dhe qëndrimin e një kolegu të tyre: për ta përjashtuar apo jo, kur shikon aksione të veprimit politik kundër, ose të themi të shmangies nga detyrimet që ka statusi apo disa veprime që janë normale, common sense i disiplinës parlamentare. Në këtë rast një “dru i shtrembër” edhe mund të përjashtohej.
Në këtë pikëpamje, po ta nxjerrim nga konteksti aktual, përjashtimi i zotit Islami do të ishte një vendim i drejtë dhe i arsyeshëm i grupit parlamentar. Por konteksti ku zhvillohet ky veprim, paraprirja ose rrethanat me të cilat ai shoqërohet, e bëjnë këtë përjashtim shumë kundërthënës. Do të thosha problematik. Së pari, është problematik sepse ky veprim nuk ilustron frymën e hapjes dhe frymën, e vetëpërkufizuar të tillë nga vetë zoti Rama, e kursit të ri politik. Së dyti, është një veprim i cili nuk mund të kuptohet brenda një fryme bashkëjetimi, kohezioni dhe shtimi të balancave politike të opozitës. Pra, është në frymën e një konflikti që vazhdon, e një përçarjeje, të mënjanimeve, eliminimeve etj.
Së treti, nuk e shoh të shëndetshme klimën politike në Partinë Socialiste dhe brenda opozitës, sepse nuk është vetëm zoti Islami problemi. Me Ramën vazhdojnë të kenë probleme aleatët. Vazhdojnë të jenë me gjysmë zëri persona të tjerë të Partisë Socialiste. Me Ramën ka probleme pjesa historike e Partisë Socialiste, ish-presidenti Meidani, ish-kryeministri Nano, pjesa tjetër e së majtës, e cila, pavarësisht nga pozicionimi aktual, e kam fjalën për LSI-në, mbetet pjesë e trashëgimisë, e veprimit dhe spektrit të majtë të politikës. E parë në gjithë këtë spektër problemesh, përjashtimi i z. Islami është diçka e pavend dhe që fiton përmasat e një kundër-produktiviteti. Me përjashtimin e z. Islami, kursi i ri politik i z. Rama, kursi i ndryshimit dhe i përgatitjes së PS-së dhe Ramës për betejën e tretë dhe finale në karrierën e tij për të ardhur në pushtet, kanë pësuar një ndalesë.
Konteksti i përjashtimi të z. Islami, i vendimit për përjashtimin e tij, është i tillë që e rehabiliton qëndrimin e tij. Nuk është se Kastriot Islami është në një “qiell të pastër”, nuk është në kushtet kur vetëm ai po tregohet tekanjoz, i padisiplinuar ose sabotator i partisë së tij. Është gjithë atmosfera e Partisë Socialiste, e së majtës dhe figurave të tjera, të cilat gjatë këtij dyvjeçari janë në një polemikë të vazhdueshme, në një diskutim të vazhdueshëm, dhe në një çorientim të vazhdueshëm në funksion të diçkaje kryesore. Cila është kjo diçka? Diskutueshmëria e lidershipit aktual në raport me synimet e kësaj partie për të ardhur në pushtet pas 6 vitesh në opozitë.
Ky, pra, është konteksti aktual brenda të cilit duhet parë dhe vlerësuar përjashtimi i z. Islami. Dhe ndoshta në një kontekst tjetër, z. Islami nuk do të kishte vepruar siç edhe veproi.
"Mapo"