Prishtinë, 21 Dhjetor 2011 - Rreth 20 automjete të ndryshme janë përfshirë në një aksident të rëndë zinxhiror komunikacioni, në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, në afërsi të rrugës për në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në aksident janë plagosur të paktën 15 persona, kryesisht me lëndime të lehta trupore.
Aksidenti ka ndodhur në të dy anët e rrugës së Urës së Madhe. Në njërën anë një autobus është përplasur me një kamion, ndërsa në anën tjetër të rrugës disa makina kanë goditur njëra-tjetrën në mënyrë zinxhirore.
Nga ky aksident kolonat e automjeteve kanë bllokuar komunikacionin, ndërsa gjatësia e tyre ka arritur deri në 3 kilometra, raporton Koha në Prishtinë.
Më shumë se 4 ambulanca kanë transportuar të lënduarit, ndërkohë që policia është impenjuar në zhbllokimin e qarkullimit.