English

Presidenti serb vë në pikëpyetje dialogun, zgjidhja tek rezoluta 1244

Novi Sad, 21 dhjetor 2011, NOA – Presidenti i Serbisë Boris Tadiç deklaroi se presionet kundër Serbisë për njohjen e Kosovën nuk mund të kenë efekt, pasi Beogradi nuk do të heqë nga bindja se zgjidhja për këtë konflikt duhet të dalë nga Rezoluta 1244, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Presionet që dikush në Evropë po planifikon t’i bëjë kundër Beogradit dhe ndaj meje munden vetëm të kenë efekt të kundërt dhe nuk mund t’i kontribuojnë asgjësë – dhe këtë ua kam thënë bashkëbiseduesve të mi edhe Kryetarit të BE-së, Herman Van Rompuy”, deklaroi presidenti serb, Boris Tadiç, bën me dije Koha.net.

Kryetari i Serbisë theksoi se asnjë presion nuk do të bënte që Serbia të heqë dorë nga zbatimi i rezolutës, pasi sipas Tadiç ajo, është akti i fundit ndërkombëtar që garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe obligon kthimin e të shpërngulurve.

“Rezoluta 1244 është dokument, mund të dalë marrëveshja, një dokument tjetër që do të rregullonte çështjen, të cilën po përpiqen ta rregullojnë të gjithë, para së gjithash atë në veri, dhe i cili i jep garanci për serbët në, siç i ka quajtur ai, komunat jugore dhe i cili siguron garanci për kishat, trashëgiminë kulturore dhe pasurinë”, u shpreh Tadiç.

Sipas tij, Serbia nuk do të heqë dorë nga dokumenti ndërkombëtar, që mbron interesat legjitime dhe themelore të popullit serb në Kosovë.

“Ne jemi më shumë se partner i qartë dhe i parashikueshëm dhe nuk kemi kurrfarë sekreti. E kemi thënë qartë se nuk do të heqim dorë nga Rezoluta 1244 në përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale”, nënvizoi presidenti serb.

NOA

KOMENTE