Ta tregosh në Shqipërinë e sotme, ngjan si një histori absurde. Të paktën të rinjtë e brezit të viteve 90’, e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë. Por e treguar në një restorant në New Jersey, mijëra milje larg Shqipërisë, kjo histori bëhet edhe më komike në tragjizmin e saj...
Nga Andis Harasani
...Diku në një qytet të vogël, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, e shoqja e një mikut tim, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë, kishte qëndruar disa orë në radhë për të blerë qumësht. Dy litra. Domethënë dy shishe qumësht. Kur i kishte trokitur fati, pra, i kishte ardhur radha, shitësja e bulmetit i thotë se i takonte të merrte vetëm një shishe. Arsyeja: i biri kishte mbushur 1 vjeç të djeshmen!!!
Është e vështirë ta shpjegosh për të rinjtë e sotëm një gjë të tillë. Eshtë e pamundur ta harrojnë prindërit e tyre që e kanë jetuar me dhembje atë absurd që sillte varfëria. Këtë histori ma tregoi në restorant, vëllai i një biznesmeni shumë të njohur shqiptar, restorant ne te cilin une reagova si shqiptar, kur pronari i restorantit, një kosovar i emigracionit të vjetër, duke përcjellë dy kliente të tij të moshuara nga lokali ju tha: Mirë se të vini përsëri, bukuroshe. Në botën e bollëkut, ato dy gra ishin kliente dhe pronari i restorantit bëri thjesht PR, i mikloi që të vijnë sërish, i ftoi të rikthehen, që të zgjedhin atë dhe jo restorantin tjetër.
Një reklamë mbi cilësinë e qumështit në kohën e komunizmit do të ishte absurditet, sot “qumështi” i mirë shitet pothuaj kryesisht për shkak të reklamës. Në fakt, Tirana dhe gjithë Shqipëria ka ndryshuar shumë. Jashtëzakonisht shumë. Kanë ndryshuar raftet e dyqaneve, kanë ndryshuar kriteret morale të njerëzve, ka ndryshuar cilësia e jetës së tyre, pritshmëritë e shumë e shumë gjëra të tjera. Ka dhe diçka tjetër që ka ndryshuar si e shtuar rishtaz, politika. Dje ishte sport ekstrem të “merreshe” me politikë, sot është sport i pamundur që të mos merresh me politikë. Dhe në këtë pikë, ka diçka tjetër të pandryshueshme. Karriera në politikë varet direkt dhe kushtëzohet nga afërsia me “të madhin” dhe nga vullnetin i tij. Dje, meqë folëm për qumështin, një mjelëse bëhej anëtare e Byrosë Politike, po të deshte “i madhi”, sot, një i papunë, pa diplome, mund të bëhet deputet, po të doje “i madhi”. Kështu ka qenë, kështu duket se do të jetë edhe për shumë kohë. Kështu ka qenë tek ndoshta dhe tek PD-ja historikisht, kështu po bëhet rregull dhe jo përjashtim edhe në partinë time.
Një javë më parë, Kushtetuesja i hoqi mandatin kolegut të partisë sime, deputetit Ilir Beqja. Kemi qenë të gjithë në seancën kur PD kërkoi që çështja e tij të votohej për të shkuar në gjykatë. E gjithë Partia Socialiste u bë gardh për të mos e lejuar një gjë të tillë. Na mundën me shifra dhe me një fitore të dyshimtë. Gjashtë-shtatë muaj në gjykatë dhe më në fund, u vendos që Beqja duhet të lerë mandatin. Dhe nga e enjtja e shkuar që ndodhi një gjë të tillë, askush nga partia ime nuk tha asnjë fjalë për të. Nuk u bë asnjë konferencë shtypi ku të denoncohej ky veprim. U bë dhe një asamble e partisë ku foli edhe kryetari radhes Rama, por as ai nuk gjeti kohë ta përmendte mikun Beqja, duke harruar ckishim bere si parti qe nga Zogu I Zi e deri per mandatin e tij. I vetmi që foli ishte kolegu Fatmir Xhafaj disa ditë më pas. Unë ndodhesha larg, në SHBA, por në këtë rast m’u duk njëlloj sikur isha në Tiranë. Njëlloj sikur lexova në mendjen e shumicës dërmuese të kolegëve të mi që fshehtazi u gëzuan. Sepse me largimin e Beqes u hap një vend. U lirua një radhë. Si në radhën e dikurshme të qumështit. Dikujt i ndodhi një fatkeqësi, dikush tjetër ka një shans më shumë për të hyrë në radhë dhe për të marrë pak qumësht nga pushteti. E njëjta gjë, jam i bindur se ndodh dhe në PD, por mua më dhemb shtëpia ime politike. Tani PS po ja kalon me hapa te shpejte PD. Në PS, është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit te radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit, nëse do që të japësh konferenca shtypi nga selia e PS-së, duhet të jesh pranë kryetarit, nëse do që të jesh i ftuar në debatet televizive, duhet të jesh pranë kryetarit, ndryshe përfundon ne listat e zeza qe u dërgohen TV mike ku përfshihen emrat e deputeteve te PS te cilët nuk duhen ftuar. Dhe nje liste te tille para disa kohesh e kam pare vete me sy. Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit, i cili si shitëset e dikurshme të qumështit, mund të të afrojë litrin e lëngut edhe pa radhë. Madje, tani është bërë rregull që qumështi nga partitë merret dhe jepet fare pa radhë. Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ta, ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër. Ndaj ata dhe kryetari, tani kërkojnë vetëm një gjë që të jenë të parët në opozitë sepse pushteti do të vijë vetvetiu kur të lodhet Berisha nga pushteti. Nëse kjo nuk ndodh në 2013, mund të ndodhë në 2017-ën ose 2021, sepse zgjedhje do të ketë çdo katër vjet. Deri në fitoren e PS-së, e rëndësishme është vetëm që të mos i shkëputesh vështrimit të kryetarit, të jesh pranë tij, të jesh gjithmonë në radhë. Për këtë duhet që t’i thuash dakord për çdo gjë, ta konsiderohesh si të pazëvendësueshëm dhe t’i kërkosh të qëndrojë në krye të P-së deri në fitore. Pastaj, qumështi nuk do të mungojë. Pastaj, mund të kesh shansin që të trajtohesh si zonjat e moshuara në New Jersey që pronari i lokalit i quajti bukuroshe. Mjafton që ato të vinin përsëri në restorantin e tij. Kështu hyn pa radhë dhe shërbehesh pa radhë. Mjafton ta kesh mirë me shitësen e bulmetit. Në këtë pikë, Shqipëria nuk ka ndryshuar. Dikur në PS ishte ndryshe, tani është bërë njëlloj si dyqani i qumështit ne kohen e komunizmit. Qumështi është i ëmbël dhe politika në Shqipëri po kthehet në një dyqan bulmeti që i bëhet shumë reklamë.