English

Rama: PS do hapet përtej opozitës zyrtare

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në prezantimin e programit të ri politik të Partisë Socialiste, kreu i saj Edi Rama tha se në asamblenë e fundit kombëtare u vendos rruga e programit të ri për një rilindje kombëtare.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, kryesocialisti tha se, kur PS të hyjë në zgjedhje qytetarët duhet të kenë një pasqyrë të re përmes një programi të detajuar, mbi ekonominë, shoqërinë, Europën etj.

Sipas tij, rruga e programit ka nisur dhe do të jetë proces i gjatë dhe i detajuar, pasi një shumicë dërrmuese shqiptare mendon se vendi po shkon drejt krizës dhe se duhet një qeverisje e re për një politikë të re të së ardhmes.

Rama tha se, e sotmja është një emergjencë për domosdoshmërinë e të bërit ndryshe të gjërave, sepse ekzistojnë probleme që pengojnë shoqërinë të ripërtërihet dhe kjo do të bëhet me 21 grupe pune të asamblesë kombëtare të cilat do detajojnë programin e ri.

“Politika shqiptare ka treguar më se një herë pamundësinë e saj për tu dhënë zgjidhje problemeve, dhe bindja ime është se ne duhet të hapemi përtej vetes përtej opozitës zyrtare, duke iu kërkuar ndihmë. Ne nuk pretendojmë se i kemi të gjitha përgjigjet e për më tepër të gjitha vetë. Unë do dëgjoj qytetarët e zakonshëm dhe ekspertë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Diasporë”, u shpreh Rama.

Më tej ai tha se dëshiron të dëgjojë dhe jo vetëm të udhëheqë, të dëgjojë njerëzit sy më sy dhe të thonë se çfarë duan ata që të bëhet.

“Është momenti që njerëzve që duan ndryshimin, tu them se e di se për çfarë luftoj por këtë nuk mund ta bëj pa ndihmën, përgjigjet dhe konsulencën tuaj”, theksoi Rama.

Vijon...

a.y/NOA

KOMENTE