English

Rama: Shpenzime të mëdha pa shërbime, censusi tregoi braktisjen e vendit

Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij në prezantimin e programit të Partisë Socialiste, shefi i opozitës Edi Rama tha se sot Shqipëria është e papunë.

Ai konstatoi se Shqipëria është në falimentim ekonomik e demokratik.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al ai theksoi se, “Të dhënat e censusit treguan se sa shumë shqiptarë kanë lënë vendin. Shifrat e reja të popullsisë kërkojnë lexim të drejtë edhe të demografisë, dhe rënia e numrit të shqiptarëve që jetojnë në atdhe kërkon punë të thelluar. E ne detajohemi në këtë pikë në programin e ri të punësimit. Grupi i punësimit do garantojë komunikimin me të gjithë të papunët dhe për ti nxjerrë nga rruga e papunësisë na duhet ndihma e tyre natyrisht edhe mbështetja e tyre, pasi aktualisht shpenzimet e bëra nga qeveria janë më të mëdha se shërbimet e ofruara”.

Sipas kryesocialistit ka një sërë plagësh të hapura, dhe koalicioni qeverisës në vend që ti mbyll ato po i grabit shqiptarët.

Ai tha se PS nga sot hap misionin për të vënë në vend të drejtën e pronës dhe se nëse se bën PS askush tjetër nuk e bën pasi e djathta bën politikë me pronën.

Kreu i selisë rozë ndër të tjera veçoi se në Shqipërinë e sotme ka një parti që deklaron se mbron ish-të përndjekurit, por nuk i dëmshpërblen ata, duke shtuar se PS ka marrë përsipër problemin e dëmshpërblimit të të përndjekurve, që është një program moral më së shumti se social.

Ai veçoi se politika sociale e PS është kundër taksës së sheshtë, ndërsa theksoi se mjedisi dhe turizmi ecin paralel në programin e selisë rozë.

Duke iu referuar mediave kreu i së majtës shqiptare tha se, media e sponsorizuar nga publiku TVSH, është një ekran që flet vetëm për vendet e botës arabe para ardhjes së pranverës, ku shprehu vendosmërinë e ndërtimit të një kornize legjislative të standardeve të BE duke i dhënë TVSH-së autoritetin e televizionit të publikut dhe jo të partive të pushtetit.

Një vëmendje të veçantë në prezantimin e programit Rama ia kushtoi edhe rinisë, ndërsa theksoi se shoqëria duhet të kthehet te sporti.

Lidhur me shërbimin diplomatik kryesocialisti tha se shërbimi diplomatik, është gjithçka që shihet dhe i zhytur në korrupsion kryekëput, duke thënë se profesionistët e këtij shërbimi kanë ngelur shumë pak dhe se raporti ndërmjet shpenzimeve për shërbimin diplomatik dhe marrëdhëniet që duhet të ketë vendi me botën absolutisht i papranueshëm.

Sakaq ai tha se për të gjitha çështjet puna do jetë e ndarë dhe se kalendari paraqet një fazë, dhe faza e parë do përmbyllet me rezultate e çdo grupi, faza tjetër do përmbyllet me harmonizimin e të gjitha raporteve.

Sipas tij puna e programit nis menjëherë pas vitit të ri, e cila siç tha ai nis me bindje dhe modesti.

a.y/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi18:38 - 21 Dhjetor 2011
    Demokracia deri sot s'ka gjetur tjeter sistem me te mire ta zevendesoje,do te thote qe dy te kundertat e saj qe jane dhe ne unitet:Pozite-opozita ne se nuk punojne saktesisht,me nje qellim te korigjojne njera tjetren per te miren e popullit,pasojat jane se c'do njera nga to do mekatoje. Te pranosh sot se Shqiperia eshte demokraci pa te meta,duhet te jesh nje leshko.S'besoj se ka shqiptar te tille,jo pastaj politikan.Ngelet e vetmja rruge si pozita dhe opozita te pranojne gabimet qe ju takojne seiciles per te ecur perpara.