Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- Ka arritur në 100 numri i projektligjeve të miratuara nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 53-të të saj.
Siç raporton NOA.al, nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, u shqyrtuan dhe miratuan 14 projektligje, të cilat iu dërguan Kuvendit të Kosovës për miratim.
Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes ka falenderuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2012.
“Ky buxhet është buxheti i vazhdimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, implementimit të shumë projekteve të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, i rritjes së mirëqenies sociale, i vazhdimit të rritjes së pagave për punëtorinë kosovare, i reformave demokratike dhe buxhet i Kosovës evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi, duke folur për strategjinë legjislative për vitin 2011, ka thënë se Projektligjet e miratuara sot bëjnë që numri total i projektligjeve të shqyrtuara dhe miratuara nga Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti të arrij në 100.
Sipas tij, është numër rekord i projektligjeve të miratuara, prandaj kërkohet edhe nga Kuvendi një përkushtim dhe intensifikim i punëve prej të gjithëve në mënyrë që këto projektligje të aprovohen dhe kalojnë edhe në Kuvend.
a.y/NOA