Tiranë, 21 dhjetor 2011, NOA- Transparency International Albania, organizoi sot një tryezë diskutimi mbi të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtare.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, nga rastet e prezantuara nga qytetarët, u evidentuan si problematika kryesore, mungesa e zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtare”.
Në këtë linjë u theksua fakti se nuk jepet informacion mbi këto dokumente dhe se nuk respektohet as afati 40 ditor për dhënien e informacionit për dokumentet zyrtare.
Në këtë kuadër, TIA konstatoi se institucionet kanë parregullsi në informimin e qytetarëve ku kërkoi rritje të transparencës në organet e administratës publike.
Ndër institucionet më të rregullta u veçuan ZQRPP, KLD, Avokati i Popullit, ndërsa ndër institucionet problematike në informimin e qytetarëve veçua, ALUIZNI, Zyra e Përmbarimit, Departamenti Anti-Korrupsion pranë Këshillit të Ministrave.
Në përfundim të tryezës u kërkua të parashikohen sanksione mbi shkeljet e Ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.
a.y/NOA