Bruksel, 22 dhjetor 2011, NOA – Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule përgëzoi konsensusin e arritur mes mazhorancës dhe opozitës, që zgjodhën në detyrë me votat e tyre Avokatin e ri të Popullit.
Komisioneri i BE-së thotë se emërimi i Avokatit të Popullit shënon përmbushjen e njërit prej 12 rekomandimeve kyç të Komisionit Evropian, të lëna detyrë shtëpie për klasën politike shqiptare dy vjet më parë, kur Shqipëria humbi të parin shans për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në një deklaratë të shkurtër Komisioneri Stefan Fule shprehet se plotësimi i këtij pozicioni do të ndihmojë në forcimin e një institucioni të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Për zotin Fule finalizimi i emërimit të juristit Igli Totozani si Avokati i Popullit me shumicë votash të mazhorancës dhe opozitës në Parlament përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Në fund të deklaratës Komisioneri Stefan Fule përgëzoi palët për rezultatin e arritur, duke uruar që Viti i Ri 2012 të shënojë rezultate edhe për prioritetet e tjera.
mit/NOA