English

Basha: Qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari

Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA – Në vijim të konsultimit të projekt buxhetit të vitit 2012, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha diskutoi sot me banorë të njësisë bashkiake numër 10, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ai bëri me dije se tetë projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore të kësaj njësie bashkiake mbështeten nga projekt - buxheti i vitit 2012.

Në Njësinë Bashkiake numër 10, një njësi me vlera historike dhe ndër më të vjetrat e Tiranës, ne kemi parashikuar për vitin e ardhshëm 8 projekte, të cilat kanë të bëjnë me rrugët “Bogdani”, “Islam Alla”, “Mujo Ulqinaku”, “Him Kolli” , “Gjon Muzaka”, Mine Peza, “Mihal Duri” dhe “Hajdar Hili”. Në projekt - buxhet parashikohet rikonstruksioni i pjesshëm, shtesa anësore dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën “Avni Rustemi” dhe rikonstruksioni i plotë dhe shtesa e ambienteve në shkollën e mesme “Qemal Stafa”, theksoi Kryebashkiaku Basha.

Ai i njohu banorët edhe me parashikimet e projekt – buxhetit, për gjithë qytetin. Basha bëri të ditur se qyteti nuk do të trajtohet pjesë pjesë, por si një i tërë, duke iu përmbajtur filozofisë, që qyteti fillon në pragun e derës së çdo qytetari.

Ai nënvizoi se janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, si ndërtimi i rreth 65.000 m2 rrugë; 33.000 m2 do të jenë rrugë tërësisht të reja; rikonstruksioni i rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese; rikonstruksioni i 79.000m2 trotuarëve; ndërtimi i dy urave; rehabilitimi i sinjalistikës së qytetit horizontale & vertikale, korsitë e dedikuara etj. Sakaq Sa i përket investimeve në infrastrukturën arsimore, në projekt-buxhetin e vitit 2012, janë parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare; ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme; rikonstruksioni i plotë i 8 shkollave; ndërtimi i 3 kopshteve dhe rikostruksioni i 11 të tjerave; ndërtimi i 2 çerdheve të reja dhe rikonstruksioni i 5 të tjerave; si dhe do të vijojnë të jepen bonuse financiare për nxënësit e shkëlqyer e do të ofrohen shkolla verore për fëmijët.

Por, nuk do të mbetet prapa mbështetja me fonde për politikat sociale.

Në këtë suazë parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale; përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese; bonusi i Qerasë për familjet në nevojë; programi i Integrimit të të Pastrehëve; lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistë dhe veteranë; studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale, nëpërmjet partneritetit publik- privat.

Gjithashtu Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha bëri me dije se në vitin 2012 do të nisë funksionimi i banesave sociale.

mit/NOA

KOMENTE