English

Berisha shtron drekë: Udhëheqësit shpirtërorë rol themelor në zhvillimin e kombit

Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA- Në kuadër të festave të fundvitit Kryeministri Berisha shtroi një drekë për drejtuesit e bashkësive fetare.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në këtë drekë ishin të pranishëm Imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Dode Gjergji, Ipeshkv i Republikës së Kosovës, Imzot Zef Gashi, Ipeshkv i Tivarit, Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Baba Edmond Brahimaj, Kryetar i Kryegjyshatës Botërorë të Bektashinjve.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për kontributin e rolin e tyre frymëzues, në konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar dhe kultivimit të mesazhit të çmuar të mirëkuptimit e harmonisë.

“Në 100 vjet, udhëheqësit shpirtërorë të shqiptarëve kanë pasur nga Lidhja e Prizrenit deri në ditën e sotme, një rol themelor në zhvillimet pozitive të këtij kombi, kanë gjetur në të gjitha rastet mirëkuptimin e përbashkët, për të çuar përpara një çështje të drejtë, lirisë kombëtare”, u shpreh Berisha.

Sipas tij krerët e fesë kanë bërë punë të madhe në ndërtimin dhe konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar.

Berisha shtoi se, kjo drekë vjen në prag të dy festave të mëdha e të bukura.

“Për njeriun nuk ka festë më të madhe, sesa ajo e lindjes dhe ne nderojmë lindjen e Krishtit, i cili është hy i besimit të krishterë, por është edhe profeti që kontribuoi për të gjithë, në normat morale të njerëzimit”, u shpreh Berisha, raporton NOA.al.

Kreu i Qeverisë shqiptare tha se nderohet edhe Viti i Ri, duke u lutur së bashku që Krishtlindjet që vijnë dhe Viti i Ri tjetër, në kuadrin e 100 vjetorit të themelimit të pavarësisë së Shqipërisë, të bëhet edhe më mirë, edhe më të mëkëmbur, edhe më të fortë në besime.

Dreka e shtruar me krerët e besimeve fetare në vend u zhvillua në rezidencën qeveritare Vila 31, ku morën pjesë gjithashtu, Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Ambasadori i Komisionit Evropian, Ettore Sequi dhe Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.

a.y/NOA

Në foto: Sali Berisha dhe Selim Muça

KOMENTE