English

Bode: Rama kopjon PD për pushtetin, por shqiptarët e kanë një Sali Berishë

Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në diskutimin për projektligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, deputeti i Partisë Socialiste tha se është bërë i paarritshëm ushqimi, uji i pijshëm nga çezma po bëhet më i shtrenjtë, energjia elektrike dhe ngrohja gjithashtu.

“Këto po mungojnë për shumicën e shqiptarëve ku mungon cilësia e jetës, pasi ndonëse në programin e Qeverisë së Berishës u propozua se tatimi mbi vlerën e shtuar do ulet dhe se shkalla tatimore do të jetë progresive, ju marksist ishit kur e propozuat këtë. Ishit po të njëjtët por atëherë i gënjyet shqiptarërt dhe po i gënjeni edhe sot. Në dallim nga shqiptarët, ju jeni më të pasur e ata më të varfër, ju u shfaqët si parti e taksave të ulëta, por ju keni ulur tatimin mbi fitimin dhe ju keni bërë nder atyre kompanive që janë përqark jush”, u shpreh Braçe, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas tij, Qeveria ka rritur të gjitha taksat indirekte, duke përfshirë edhe akcizën dhe barra nuk anon nga biznesi por mbi kurrizin e qytetarëve.

Në përgjigje të fjalëve të Braçes, Ministri i Financave Ridvan Bode tha se, Partia Socialiste dhe Kryetari i saj Edi Rama kanë maninë për të imituar kohën kur ishte në opozitë Partia Demokratike.

Siç raporton NOA.al, Bode u shpreh se, “A kemi thënë në 2004 që do ulim TVSH dhe ju e keni kundërshtuar atëherë, ndërsa tani po e thoni jua atë. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën, sepse shqiptarët e kanë një Sali Berishë nuk mund të kenë një të dytë. Sali Berisha dhe kjo Qeveri nuk kanë mohuar kurrë se ka pasur në programin e saj ato pretendime që ju ngrini, ne kemi deklaruar në mënyrë publike”.

Në këtë linjë Bode theksoi se, është e vërtetë që Qeveria pati në program, uljen e TVSH-së por hoqi dorë nga kjo dhe patëm ulje të taksës së sheshtë, sepse kjo u konsiderua si rruga më e mirë për të rritur rrugën e mirëqënies dhe për të luftuar varfërinë.

Në mbyllje të fjalës së tij Ministri Bode tha se, sindroma për të kopjuar PD-në në opozitë është jashtë mode.

a.y/NOA

KOMENTE